Kërkojmë zgjidhje pa prekur dinjitetin, nuk ka më lëshime për identitetin, thotë Mickoski!
Kryeministri Hristijan Mickoski pret që gjatë vizitës së ardhshme të presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, të diskutohen ide të reja për tejkalimin e pengesave në rrugën integruese të vendit drejt Bashkimit Evropian, të cilat ai i cilësoi si kërkesa artificiale dypalëshe.
Mickoski theksoi se qëndrimi i shtetit mbetet i pandryshuar dhe se Shkupi do të vazhdojë të kërkojë një zgjidhje që, sipas tij, nuk cenon dinjitetin e popullit maqedonas dhe të qytetarëve të vendit.
“Nuk ka hapësirë për asnjë milimetër më shumë lëshime në aspektin e identitetit, sepse ky shtet dhe qytetarët e Maqedonisë kanë dhënë shumë në dekadat e kaluara, ndërsa në këmbim kemi marrë shumë pak ose aspak, dhe sërish përballemi me kërkesa të reja dypalëshe”, deklaroi Mickoski.
Ai vlerësoi se deri më tani bisedimet me Antonio Costën kanë qenë konstruktive dhe miqësore, duke shtuar se pret që gjatë takimeve të ardhshme të shqyrtohen mundësi konkrete për tejkalimin e bllokadës.
“Presidenti i Këshillit Evropian ka qenë konstruktiv në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për këtë kërkesë artificiale dypalëshe që një shtet anëtar ka ndaj Maqedonisë. Shpresoj se në takimet e ardhshme do të shkëmbejmë më shumë ide për të parë nëse dhe si mund të kapërcehet kjo pengesë”, tha ai.
Kryeministri shtoi se qëndrimet e shtetit janë shprehur shumë herë dhe se nuk mund të pritet ndryshim i tyre brenda natës, duke argumentuar se parakushtet që vendi pret të realizohen ende nuk janë përmbushur. Gazeta Flaka
















