Krerët e opozitës shqiptare marrin pjesë në pritjen për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së
Liderët e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti dhe Arben Taravari, morën pjesë në pritjen solemne të organizuar me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ali Ahmeti bëri të ditur se në ngjarje mori pjesë me ftesë të Ushtrueses së Detyrës së Ambasadores së SHBA-së në vend, Nicole Varnes, duke e cilësuar ceremoninë si një mundësi për të riafirmuar partneritetin e fuqishëm dhe miqësinë e qëndrueshme mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Kjo ngjarje ishte një mundësi e veçantë për të riafirmuar partneritetin e fuqishëm dhe miqësinë e qëndrueshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për të vlerësuar rolin vendimtar të SHBA-së në mbështetjen e paqes, stabilitetit, proceseve demokratike dhe integrimit euroatlantik të vendit tonë”, shkroi Ahmeti.
Ai shtoi se me këtë rast u ka përcjellë urimet e tij popullit dhe institucioneve amerikane, duke u dëshiruar prosperitet dhe suksese të mëtejshme.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, publikoi një mesazh të shkurtër urimi me rastin e jubileut.
“Urime 250-vjetori i shtetësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”, shkroi Taravari.

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, mori pjesë në pritjen solemne të organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.

Përmes një postimi, Osmani u shpreh i nderuar që ishte pjesë e këtij kremtimi, duke vlerësuar rolin dhe idealet mbi të cilat është ndërtuar shteti amerikan.
“I nderuar të jem sonte në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, në kremtimin e 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së. Për dy shekuj e gjysmë, idealet amerikane të lirisë, demokracisë dhe mundësive kanë frymëzuar popuj anembanë botës”, shkroi Osmani.
Ai theksoi se partneriteti mes Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara mbetet i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta.
“Partneriteti mes Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara mbetet i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta: paqe, siguri, demokraci dhe të ardhme euroatlantike”, u shpreh Osmani.
Në fund të mesazhit, ai uroi popullin amerikan për këtë jubile historik, duke shkruar: “Urime popullit amerikan këtë përvjetor historik!”
Arbër Ademi: Ishte kënaqësi të marrim pjesë në pritjen solemne të organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Urime këtë jubile të rëndësishëm dhe mirënjohje për miqësinë, partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Pritja solemne u organizua nga Ambasada e SHBA-së në Shkup në nder të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, partive politike, trupit diplomatik dhe personalitete të jetës publike. Gazeta Flaka
















