Kristjan Asllani në qendër të merkatos, Bologna ka shfaq interes
E ardhmja e mesfushorit shqiptar Kristjan Asllani vazhdon të jetë një nga temat më të nxehta në ambientet e Interit, teksa Bologna ka shfaqur interes konkret për ta afruar në skuadër. Sipas raportimeve nga mediat italiane, drejtuesit e klubit emilian e vlerësojnë lart profilin e Asllanit dhe e shohin si një përforcim strategjik për mesfushën e tyre.
Megjithatë, operacioni mbetet i komplikuar. Interi, përmes drejtorit sportiv Piero Ausilio, ka bërë të qartë se nuk pranon shkëmbime lojtarësh dhe nuk është i gatshëm të ulë pretendimet financiare. Klubi zikaltër kërkon 18 milionë euro për kartonin e Asllanit, një shifër që Bologna e konsideron të lartë dhe jashtë mundësive aktuale.
Alternativat e propozuara nga Bologna për një huazim me të drejtë blerjeje nuk janë pranuar nga Interi, i cili synon një shitje të drejtpërdrejtë. Në këtë kontekst, negociatat mbeten të ngrira, edhe pse interesimi i Bolognas nuk është zbehur.
Ndërkohë, emri i Asllanit është përmendur edhe në orbitën e Real Betis në Spanjë, por sipas burimeve pranë lojtarit, destinacioni i La Liga nuk shihet si i përshtatshëm për momentin.
Asllani, 23 vjeç, ka kontratë me Interin deri në vitin 2028 dhe ka zhvilluar 33 ndeshje në sezonin e fundit. Ai është pjesë e rregullt e kombëtares shqiptare dhe shihet si një prej mesfushorëve më premtues në Serie A.
Flaka
















