“Kuptohem më mirë me shqiptarët se me maqedonasit e botës serbe” – Georgievski reagon pas vlerësimeve të Taravarit
Ish-kryeministri dhe lideri i VMRO Popullore, Ljubço Georgievski, ka nxitur reagime në opinion pas një postimi në rrjetet sociale, ku komentoi deklaratat e liderit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Duke shpërndarë një video nga intervista e Taravarit, Georgievski shkroi se pas 35 vitesh pavarësi, raportet politike dhe perceptimet në vend kanë marrë një drejtim tjetër.
“Pas 35 viteve pavarësi, ka ardhur koha kur me shqiptarët kuptohem më mirë sesa me maqedonasit e botës serbe”, ka shkruar ai në Facebook.
Reagimi vjen pasi Taravari kishte shprehur vlerësim të lartë për ish-kryeministrin, duke e cilësuar si një nga figurat politike që ndjek dhe respekton më së shumti në vend. Ai tha se, ndonëse janë takuar vetëm disa herë, i ndjek rregullisht analizat dhe qëndrimet e Georgievskit, veçanërisht për historinë, zhvillimet politike dhe raportet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
“Ka analiza të mira dhe shpesh pajtohem plotësisht me të”, deklaroi Taravari, duke folur edhe për marrëdhëniet ndëretnike dhe orientimin euroatlantik të shtetit.
Deklaratat e ndërsjella mes dy politikanëve kanë rikthyer në fokus debatet për raportet ndëretnike, identitetin politik dhe kursin strategjik të vendit. Gazeta Flaka
















