Lëndohet pjesëtari i njësisë speciale “Tigri” gjatë drejtimit të motoçikletës
Një pjesëtar i Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigri” është lënduar gjatë drejtimit të një motoçiklete në kazermën “Ilinden” në Shkup. Pas incidentit, ai është transportuar me autoambulancë në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, ku i është ofruar ndihmë mjekësore.
Ngjarjen e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), duke bërë të ditur se lëndimi është raportuar më 19 nëntor 2026, në orën 14:45.
“Është raportuar se një pjesëtar i Njësisë Speciale Antiterroriste ‘Tigri’ është lënduar gjatë drejtimit të motoçikletës në kazermën ‘Ilinden’. Ai është transportuar me automjet të Ndihmës së Shpejtë në Qendrën Klinike ‘Nënë Tereza’ për t’i ofruar ndihmë mjekësore. Është kryer këqyrja në vendngjarje dhe është njoftuar prokurori publik”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ministria nuk ka dhënë detaje për natyrën e lëndimeve dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur incidenti.
Në të njëjtin reagim, MPB-ja ka hedhur poshtë edhe pretendimet për ndikime partiake në organizimin dhe zhvillimin e trajnimeve të pjesëtarëve të njësisë speciale.
“Ministria e Punëve të Brendshme i demanton informacionet për ndikime të pretenduara partiake gjatë organizimit dhe realizimit të trajnimeve për Njësinë Speciale Antiterroriste ‘Tigri’”, thuhet në reagim.
Nga MPB-ja theksojnë se të gjitha aktivitetet trajnuese zhvillohen sipas procedurave të përcaktuara dhe standardeve të sigurisë, në përputhje me nevojat e njësive speciale policore.
Ministria ka demantuar gjithashtu pretendimet se rreth 30 pjesëtarë janë larguar nga Njësia Speciale Antiterroriste “Tigri”.
“Njëkohësisht, demantojmë pretendimet se rreth 30 pjesëtarë gjoja janë larguar nga njësia”, thuhet në reagimin e MPB-së.
Në fund, ministria ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta informojë publikun në mënyrë transparente, duke kundërshtuar, siç thotë, përhapjen e informacioneve të paverifikuara dhe politizimin e ngjarjeve që lidhen me punën e njësive speciale.
Deri më tani nuk ka informacione shtesë zyrtare për gjendjen shëndetësore të pjesëtarit të lënduar.
Flaka















