Levica akuzon VMRO-DPMNE-në: Refuzoi propozimin për mbështetje banesore për familjet me fëmijë
Partia Levica kritikon shumicën parlamentare për mosmbështetjen e Propozim-ligjit për mbështetje familjare dhe banesore, i cili parashikonte që shteti të mbulonte 20 për qind të principalit të kredisë banesore për çdo fëmijë të lindur ose të adoptuar, me mbështetje totale deri në 100.000 euro.
Nga Levica thonë se VMRO-DPMNE, e cila publikisht promovon vlerat familjare dhe shpreh shqetësim për rënien e natalitetit, nuk tregoi vullnet politik për të mbështetur një mekanizëm konkret që do t’ua lehtësonte të rinjve krijimin e familjes dhe sigurimin e një banese.
Sipas partisë, propozimi ishte dorëzuar në procedurë të rregullt parlamentare, duke lënë hapësirë për debat, korrigjime dhe harmonizim të modelit, por shumica parlamentare nuk e mbështeti dhe nuk shfrytëzoi mundësinë për diskutim.
„Kur duhet të mbahen leksione për vlerat familjare, DPMNE është më e zëshme. Por kur duhet të krijohen parakushte për familjen, papritur zhduket i gjithë shqetësimi i tyre për natalitetin”, thuhet në reagimin e Levicës.
Partia thekson se kriza demografike është gjithnjë e më e dukshme në vend. Sipas të dhënave që citon Levica, vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, në 65 nga gjithsej 80 komunat e Maqedonisë së Veriut është regjistruar shtim natyror negativ, ndërsa në nivel shtetëror janë regjistruar 2.967 vdekje më shumë sesa lindje.
Në reagim përmendet edhe mosha mesatare e pavarësimit të të rinjve, e cila sipas partisë në Maqedoninë e Veriut është 33 vjeç, krahasuar me 27 vjeç në Kroaci. Gjithashtu, Levica thekson se qiratë mujore në komunat e Shkupit tejkalojnë 22.000 denarë.
„Shtyrja e prindërimit nuk mund të zgjidhet me leksione morale, as kriza demografike me ndryshimin e fjalive në librat shkollorë. Për krijimin e familjes nevojiten parakushte materiale, siguri ekonomike dhe kushte dinjitoze jetese”, theksojnë nga Levica.
Sipas tyre, politika familjare nuk mund të kufizohet vetëm në deklarata dhe thirrje për më shumë lindje, ndërkohë që të rinjtë përballen me kredi afatgjata, qira të larta dhe pasiguri ekonomike.
„Të rinjtë nuk kërkojnë që Mickoski t’u shpjegojë si krijohet familja, por që shteti të krijojë kushte në të cilat familja mund të mbijetojë. Nëse për DPMNE-në vlerat familjare përfundojnë aty ku fillojnë nevojat materiale të qytetarit të zakonshëm, atëherë politika e tyre demografike mbetet vetëm një parullë politike – ‘vëlla dhe motër’, pa shtëpi dhe siguri ekonomike”, përfundon reagimi i partisë Levica. Flaka Media











