“Like”-u që trazoi politikën: çfarë ndodhi mes Azir Aliu dhe Halil Snopçe?
Një klikim i vetëm në Facebook mjaftoi për të ndezur spekulime politike dhe për të ekspozuar tensionet e brendshme në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Një “pëlqim” i përkohshëm nga ministri Azir Aliu mbi një postim kritik të deputetit Halil Snopçe ndaj ministrit Besar Durmishi, u kthye në një mini-skandal politik, shkruan Gazeta Flaka.
Postimi i Snopçes nuk ishte i zakonshëm: ai përmbante akuza të drejtpërdrejta për “amaterizëm politik”, reagime të bazuara në informata të paverifikuara dhe një varg të gjatë pyetjesh që prekin ekonominë, diplomacinë dhe të drejtat e shqiptarëve në vend. Në këtë kontekst të nxehtë, ndërhyrja – qoftë edhe virtuale – e Aliut nuk mund të kalonte pa u vënë re.
Kjo lë hapësirë për disa interpretime: Gabim njerëzor? Edhe ekspertët e IT-së bëjnë klikime të pavetëdijshme. Por, për një figurë si Aliu, kjo justifikim tingëllon i dobët për publikun skeptik. Mesazh i fshehtë politik? Një sinjal i heshtur ndaj kolegëve të koalicionit? Presion i menjëhershëm? Tërheqja e shpejtë sugjeron se dikush mund ta ketë parë si problematik këtë veprim.
Rasti merr një dimension ironik: Azir Aliu njihet si një nga figurat më të profilizuara në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Një “gabim” i tillë në një platformë sociale – qoftë edhe minimal – bie në kontrast me imazhin e një profesionisti të IT-së.
Por realiteti është më tokësor: në botën digjitale, gabimet nuk falen lehtë, sidomos kur bëhen nga politikanë. Një klikim mund të interpretohet si qëndrim.
Dimensioni personal e komplikon edhe më shumë situatën. Aliu dhe Snopçe janë nga i njëjti qytet, Gostivari, kanë ndarë të njëjtën parti, dhe kanë pasur marrëdhënie shoqërore më të hershme.
Kjo e bën “like”-un të duket më pak rastësor dhe më shumë si reflektim i një raporti më kompleks sesa thjesht politik.
Në fund, ajo që mund të dukej si një detaj i parëndësishëm në rrjetet sociale, u shndërrua në një sinjal të mundshëm për përçarje të brendshme, pakënaqësi të heshtura, ose thjesht mungesë kujdesi në komunikimin publik.
Në politikën moderne, sidomos në epokën e Facebook-ut, nuk ka më “gabime të vogla”. Çdo veprim – edhe një “like” – është deklaratë. Dhe në këtë rast, pyetja mbetet: ishte lapsus, apo një e vërtetë që doli për një moment në sipërfaqe?
Deri në momentet e publikimit të këtij lajmi “like”-u i Azir Aliu vazhdon të jetë i dukshëm në postimin e Halil Snopçe, duke ngritur pikëpyetje shtesë mbi atë se çfarë ka ndodhur realisht.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga ministri Azir Aliu lidhur me këtë situatë. Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse ky episod do të ketë pasoja politike apo do të mbetet thjesht një moment i diskutueshëm në rrjetet sociale.
Çka tha deputeti Snopçe ?
I parashtrova pyetje ministrit Besar Durmishi se në bazë të cilave informata ka konstatuar se ministri Hoxha paska ofenduar shqiptarët në Maqedoni? A i ka konfirmuar informatat e tilla apo ka besuar burimeve të paverifikuara?
Kjo është me rëndësi sepse lajmi u përgënjeshtrua nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë. Pra, edhe përkundër përgënjeshtrimit, ministri del dhe kërkon që ministri Hoxha të kërkojë falje, respektivisht sjell konkluzione në bazë të informatave të paverifikuara nga WhatsApp-i dhe nuk i beson versionit zyrtar.
I thashë ministrit Durmishi të ketë kujdes kur del me reagime të tilla. Ka pasur sulme edhe ndaj ambasadorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, z. Mejdani, dhe tash kemi sulme edhe ndaj ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Këto janë sulme të orkestruara nga elitat politike maqedonase, të cilat nuk dëshirojnë të kemi marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Z. Durmishi nuk bën gjë tjetër përveç se u shërben këtyre elitave maqedonase.
I thashë z. Durmishi se ky veprim është amaterizëm politik dhe mosdije politike. Fillimisht duhet t’u shërbejë interesave të popullit shqiptar. Ne e dimë se ia kanë zhveshur kompetencat, por kjo nuk është arsye që të mos angazhohet.
Ai para së gjithash duhet të na sqarojë pse asnjë kompani shqiptare nuk mori asnjë denar nga 250 milionë eurot e borxhit hungarez? Pse kemi rënie prej 61% të investimeve të huaja direkte? Pse asnjëherë më parë çmimet bazë nuk kanë qenë më të shtrenjta? Pse çmimi i karburanteve dhe i rrymës asnjëherë më parë nuk kanë qenë më të shtrenjta? Pse raporti i shportës konsumuese karshi rrogës asnjëherë nuk ka qenë më i disfavorshëm për qytetarët?
Po ashtu edhe pyetje politike: pse, edhe pas dy vitesh qeverisje, premtimi i tyre 6-mujor për zhbllokimin e negociatave është më larg se kurrë? Pse gjuha shqipe nënçmohet në institucionet publike? Pse nuk i përkrahni studentët shqiptarë? Pse dëshironi ta devijoni trasenë e Korridorit 8? Pse, pse, e shumë “pse” të tjera…
Gishtin në kokë, sepse duke i parë të gjitha këto “pse”, atëherë jo vetëm fjalën që pretendon ministri, por vetë qytetarët, në një të ardhme të afërt, nëse vazhdohet me këtë qasje, do të përdorin edhe fjalë shumë më të rënda. Gazeta Flaka
















