Liverpool në kërkim të zëvendëskapitenit të ri, Van Dijk ka preferencën e tij
Pas largimit të Andy Robertson nga roli i zëvendëskapitenit, Liverpool ka nisur procesin për zgjedhjen e liderit të ri të dytë të skuadrës, ndërsa kapiteni Virgil van Dijk ka bërë të ditur se ai tashmë ka një preferencë të qartë.
Qendërmbrojtësi holandez kishte deklaruar që në muajin prill se e di se kush duhet ta marrë shiritin e zëvendëskapitenit, por nuk dëshiron ta zbulojë publikisht emrin.
“Zëvendëskapiteni i ri? Nuk dua të them se kush duhet të zgjidhet, por patjetër që kam mendimin tim dhe gjithmonë e ndaj atë me klubin”, ishte shprehur Van Dijk.
Sipas raportimeve të gazetarit James Pearce, drejtuesit e Liverpoolit po shqyrtojnë katër kandidatë kryesorë për këtë rol: Alisson Becker, Dominik Szoboszlai, Joe Gomez dhe Alexis Mac Allister.
Të katër futbollistët konsiderohen figura me peshë në dhomat e zhveshjes dhe gëzojnë respektin e bashkëlojtarëve, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret përpara nisjes së sezonit të ri.
Mbetet për t’u parë nëse zgjedhja e klubit do të përputhet me preferencën e Virgil van Dijk, i cili vazhdon të jetë lideri kryesor i “The Reds”.
Flaka
















