LSDM: Mickoski nxiton për zgjedhje të parakohshme pas rënies së Orbanit
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se është keqkuptuar se planifikon të ketë zgjedhje të parakohshme, pasi dje në deklaratën e tij tha se ato do të ndodhin së shpejti. Ai theksoi se në Qeveri janë të fokusuar në realizimin e reformave dhe se dëshiron zgjedhje të rregullta në vitin 2028, por megjithatë nuk e përjashtoi mundësinë që ato të mbahen edhe në vitin 2027.
Pikërisht pranvera e ardhshme po spekulohet se ka gjasa të mëdha për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, për të cilat partitë thonë se janë të gatshme për garë zgjedhore kurdo që të ndodhin.
“Ka disa nga partitë që u frikësuan nga ajo deklaratë për zgjedhje, por qëndrimi im e dini, qëndrimi im është se këtë vit nuk ka zgjedhje, ky vit është reformues dhe vit i konsolidimit. Unë do të doja të kemi zgjedhje të rregullta që do të ndodhin së shpejti në pranverën e vitit 2028, ndërsa nëse 2027 është opsion, e dini se VMRO-DPMNE është gjithmonë e gatshme të shkojë në zgjedhje dhe të fitojë”, tha Mickoski.
Nga LSDM janë të bindur se VMRO-DPMNE dhe Mickoski duan sa më shpejt të ketë zgjedhje të parakohshme, sepse, siç thonë, kanë frikë nga fakti se ka rënë miku i tij Orban, pastaj se nuk janë përmbushur premtimet që i dhanë para zgjedhjeve, si dhe sepse nuk ka më para në Buxhet.
















