Lujteta Isaku i përgjigjet Latif Arifit: Nuk ka fyerje nga Portokallia, turp për ju!
Reagim i ashpër ka ardhur nga Lujteta Isaku ndaj deklaratës së Latif Arifit për skeçin e emisionit humoristik Portokalli, ku sipas saj, nuk janë fyer shqiptarët e Maqedonisë, por kritika duhet drejtuar ndaj politikanëve që “kanë denigruar historinë kombëtare”.
Arifi kishte reaguar më herët duke akuzuar se skeçi i “korit të studentëve të Maqedonisë” ishte propagandë politike e maskuar si humor dhe se përmes tij po denigrohej elita politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Ai theksoi se shqiptarët e Maqedonisë “nuk janë as kopukë, as objekt talljeje” dhe kritikoi përdorimin e ekranit shqiptar për, siç tha ai, fyerje ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë.
Ndërkohë, Lujteta Isaku iu kundërpërgjigj ashpër:
“Portokallia në këtë rast nuk ka fyer shqiptarët. Keni fyer ju, keni denigruar historinë tonë, keni përbaltur dëshmorët dhe keni mbyllur rrugët e ndritura të kombit. Turp për ju!”
Debati vjen pas reagimeve të shumta në rrjetet sociale lidhur me interpretimin satirik në Portokalli, i cili ka nxitur polemika politike mes mbështetësve të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Gazeta Flaka
















