Manchester United zyrtarizon përforcimin e parë të verës, Matheus Cunha firmos deri në vitin 2030
Transferimi i shumëpërfolur i Matheus Cunha-s nga Wolverhampton te Manchester United është zyrtarizuar më në fund. Sulmuesi brazilian është përforcimi i parë i trajnerit të ri Ruben Amorim për sezonin 2025/2026 dhe ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2030, me mundësinë e zgjatjes edhe për një vit tjetër.
Klubi anglez nuk ka bërë publike shifrat e transferimit, por mediet britanike raportojnë se marrëveshja është mbyllur për 74.2 milionë euro, që përkon me klauzolën e lirimit të lojtarit.
Në prononcimin e tij të parë si “Djall i Kuq”, Cunha u shpreh i emocionuar:
“Është e vështirë të përshkruaj me fjalë ndjesinë që kam për t’u bërë lojtar i Manchester United. Që kur isha fëmijë, në Brazil, dhe shikoja ndeshjet e Premier League-s në shtëpinë e gjyshes sime, United ishte skuadra ime e preferuar në Angli. Që atëherë kam ëndërruar të vesh fanellën e kuqe. Jam shumë mirënjohës ndaj familjes sime dhe të gjithëve që ndihmuan që ky ëndërr të bëhet realitet. Mezi pres të nis stërvitjet dhe të njihem me shokët e rinj të ekipit. Tani e gjitha çka më intereson është të punoj fort për t’u bërë një element i vlefshëm dhe për të ndihmuar klubin të rikthehet në majë.”
Matheus Cunha iu bashkua Wolverhampton-it në janar 2023 fillimisht në huazim nga Atlético Madrid, për ta nënshkruar më pas përfundimisht. Në dy vite e gjysmë me “Wolves”, ai realizoi 33 gola dhe dha 16 asistime në 92 ndeshje.
















