Marin Mema në mbështetje të studentëve shqiptarë: Gjuha shqipe është e drejtë, jo privilegj
Gazetari dhe studiuesi shqiptar Marin Mema ka reaguar në mbështetje të protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se kërkesa për përdorimin e gjuhës shqipe në provime është një e drejtë legjitime që nuk mund t’u mohohet shqiptarëve autoktonë.
“Kam qenë e do të jem krah shqiptarëve në Maqedoni, kam qenë e do të jem krah të rinjve në betejat e tyre të drejta”, shkroi Mema.
Ai vlerësoi se çështja e gjuhës shqipe në provime nuk është privilegj, por e drejtë themelore.
“Të kërkosh gjuhën shqipe në provime është një e drejtë që askush nuk mundet t’ua mohojë shqiptarëve autoktonë në ato troje”, deklaroi ai.
Në reagimin e tij, Mema bëri thirrje për bashkim të shqiptarëve përtej ndasive politike, duke kritikuar partitë për moszgjidhjen e problemeve të kahershme.
“Të gjithë duhet të bashkohen, të gjithë shqiptarët e drejtë, të vërtetë e të ndershëm… Të gjithë përveç politikanëve”, u shpreh ai.
Sipas Memës, partitë politike duhet të qëndrojnë larg protestës, pasi sipas tij, po të kishin vepruar në kohë për të drejtat e shqiptarëve, situata nuk do të kishte arritur deri këtu.
“Keni pasur kohë mjaftueshëm të punoni për shqiptarët dhe nuk e keni bërë”, theksoi ai.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin të rinjtë shqiptarë dhe protestën e tyre.
“Lërini ta tundin Urën e Gurit me zemrën e shpirtin e pastër, lërini të valvisin flamurin shqiptar siç j’ua do zemra e shpirt”, përfundoi Mema. Gazeta Flaka
















