Mbi 161 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut jetojnë në Gjermani – 1.600 foshnja lindin atje brenda një viti
Mbi 161 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut jetojnë në Gjermani – rritet edhe numri i lindjeve të fëmijëve me prejardhje nga Maqedonia e Veriut.
Numri i shtetasve të Maqedonisë së Veriut të regjistruar si të huaj që jetojnë në Gjermani ka arritur në 161.120 deri në dhjetor të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej mbi 2.000 personash krahasuar me vitin 2024, kur ky numër ishte 158.995. Të dhënat janë publikuar nga Enti Federal Gjerman i Statistikave.
Sipas statistikave, nga viti 2015 deri në vitin 2025, numri i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në Gjermani është rritur për më shumë se 65.000, duke reflektuar një trend të vazhdueshëm emigrimi drejt këtij vendi.
Paralelisht me këtë rritje, po shënohet edhe një fenomen i ri demografik: lindja e fëmijëve me prejardhje maqedonase në Gjermani. Vetëm vitin e kaluar, rreth 1.620 foshnja janë lindur nga prindër të cilët identifikohen si “të huaj me prejardhje nga Maqedonia e Veriut”, sipas të dhënave të Entit Federal Gjerman të Statistikave të cituara nga “Bloomberg Adria”.
Ky trend tregon se gjithnjë e më shumë familje nga Maqedonia e Veriut po vendosen përkohësisht ose përgjithmonë në Gjermani, ku krijojnë jetën e tyre familjare dhe sjellin në jetë fëmijët.
Gjermania mbetet një nga destinacionet më të preferuara për emigrim për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të nxitur kryesisht nga mundësitë më të mira ekonomike, të ardhurat më të larta dhe perspektiva më e qëndrueshme për të ardhmen.
Ekspertët paralajmërojnë se ky trend ka pasoja afatgjata për vendin, përfshirë zvogëlimin e popullsisë aktive, plakjen demografike dhe rënien e numrit të nxënësve në sistemin arsimor. Në të njëjtën kohë, diaspora po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për ekonominë e vendit përmes remitancave dhe lidhjeve të vazhdueshme me atdheun. Gazeta Flaka
















