Mevlan Ademi: Në Itali shqip për udhëtarët, në Maqedoninë e Veriut ende në pritje
Mevlan Ademi ka reaguar lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në tabelat publike, duke krahasuar mikpritjen e qytetit italian të Riminit ndaj udhëtarëve shqiptarë me situatën në Maqedoninë e Veriut.
Ademi ngre pyetjen pse Rimini ofron tabelë në gjuhën shqipe për një udhëtar, ndërsa Shkupi, sipas tij, nuk ua garanton qytetarëve të vet një të drejtë që e konsideron të fituar.
“Pse e ofron Rimini tabelën shqip për një udhëtar, ndërsa Shkupi ia mohon këtë drejtë të fituar qytetarit të vet?”, shprehet Ademi.
Ai vlerëson se dallimi qëndron te qasja ndaj gjuhës shqipe, duke theksuar se në Itali ajo përdoret si shenjë mikpritjeje dhe për të lehtësuar komunikimin me vizitorët shqiptarë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut çështja, sipas tij, po shndërrohet në temë politike.
“Sepse Rimini pa kompleks ofron mikpritje e bën biznes me shqiptarët. Shkupi po bën politikë me ta”, thekson Ademi.
Në reagimin e tij, ai rikujton edhe bazën kushtetuese të përdorimit të gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, duke vënë në pah kontrastin mes praktikës në Itali dhe pritjeve të qytetarëve shqiptarë në vend.
“Italia e shkruan shqipen nga mikpritja, pa e detyruar kush. Në Maqedoninë e Veriut e kërkon vetë Kushtetuta, dhe prapë po presim…”, shkruan ai.
Ademi e përmbyll reagimin me një referencë ndaj Ohrit dhe një ironi për vonesat në këtë çështje.
“Ohri e ka thënë. Tabela ende po bën loading”, përfundon ai.












