Mevlan Ademi: Parlamenti Evropian konfirmoi se kërkesa jonë për gjuhën shqipe është e drejtë
Mevlan Ademi nga Këshilli Organizativ i Studentëve Shqiptarë, ka përshëndetur miratimin e raportit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, në të cilin përfshihet edhe amendamenti që u bën thirrje autoriteteve të vendit të zgjidhin sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore.
Ademi shprehu mirënjohje për eurodeputetët dhe mbështetësit e çështjes shqiptare në institucionet evropiane.
“Faleminderit eurodeputetëve dhe miqve tanë në Bruksel për mbështetjen e tyre në mbrojtje të ligjit dhe të gjuhës shqipe”, ka deklaruar Ademi.
Sipas tij, mesazhi i Parlamentit Evropian përbën një mbështetje të qartë për të drejtat gjuhësore të shqiptarëve dhe për respektimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
“Parlamenti Evropian u bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, duke siguruar zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si në aspektin ligjor ashtu edhe në frymën e saj. Gjithashtu, kërkohet që protestat studentore të mos paraqiten në mënyrë të padrejtë si të motivuara politikisht apo si faktor destabilizues”, theksoi ai.
Ademi vlerësoi se ky qëndrim i Parlamentit Evropian përbën një konfirmim se kërkesat e studentëve shqiptarë janë në përputhje me standardet evropiane dhe me obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit.
“Ky është një mesazh i qartë në mbrojtje të të drejtave gjuhësore dhe të respektimit të Marrëveshjes së Ohrit”, u shpreh Ademi.
Mevlan Ademi i shoqëruar edhe nga Çlirim Iseini, ditë më parë, në Bruksel zhvilluam një takim me Frederick Swinnen nga Komisioni Evropian dhe Clare Dowdle nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), ku diskutuam mbi zhvillimet e fundit që lidhen me sundimin e ligjit, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe respektimin e të drejtave të komuniteteve në Maqedoninë e Veriut.
Raporti i miratuar nga Parlamenti Evropian i kushton rëndësi të veçantë respektimit të karakterit multietnik të shtetit, sundimit të ligjit dhe të drejtave të komuniteteve, duke theksuar se këto mbeten elemente kyçe në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gazeta Flaka












