Mexhiti: Mirënjohje për ata që ruajtën arsimin shqip
Në prag të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka organizuar në Shkup një aktivitet kushtuar mësimdhënësve shqiptarë nga vendbanime të ndryshme të vendit, duke vlerësuar kontributin e tyre në arsimin në gjuhën shqipe.
Gjatë aktivitetit, Mexhiti vuri në pah se historia e arsimit shqip nuk lidhet vetëm me Kongresin e Manastirit të vitit 1908, por edhe me përkushtimin e mësuesve që ndër vite kanë përcjellë dijen dhe gjuhën amtare te brezat e rinj.
“Përkrah rëndësisë historike të Kongresit të Manastirit, meritë të veçantë kanë edhe mësimdhënësit, të cilët ndër breza kanë edukuar dhe arsimuar fëmijët në gjuhën amtare”, thuhet në mesazhin e përcjellë nga Mexhiti.
Ai rikujtoi vështirësitë me të cilat janë përballur mësimdhënësit shqiptarë ndër vite, duke theksuar se vlerësimi i punës së tyre duhet të reflektohet edhe përmes politikave konkrete institucionale.
Në këtë drejtim, Mexhiti përmendi nevojën për mbështetje më të madhe për arsimin shqip, tekste shkollore cilësore dhe kushte më të mira për zhvillimin e procesit mësimor.
Në përmbyllje të aktivitetit, ai shprehu mirënjohje për mësimdhënësit veteranë dhe ata që vazhdojnë të kontribuojnë në arsim, duke i uruar qytetarët për 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Flaka















