Mickoski flet për Kushtetutën, por anashkalon Marrëveshjen e Ohrit – Reagojnë Zenku e Saliu
Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski se arsimi i lartë në Maqedoninë e Veriut nuk mund të zhvillohet në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes ka nxitur reagime dhe ka rikthyer në debat çështjen e bazës kushtetuese dhe juridike të arsimit universitar në gjuhën shqipe.
Duke folur në Kuvend, Mickoski deklaroi se Kushtetuta lejon arsimimin në gjuhët e komuniteteve vetëm në nivelin fillor dhe të mesëm, ndërsa arsimin e lartë në gjuhë tjetër e cilësoi si „implant“.
Kryeredaktori i Gazetës Flaka, Driton Zenku, vlerëson se qëndrimi i kryeministrit duhet parë edhe në raport me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe zhvillimet juridike të mëparshme lidhur me arsimin universitar në gjuhën shqipe.
„Kryeministri Mickoski mundohet t’i moderojë deklaratat e tij ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me shqiptarët në këtë shtet, por gjithnjë e më qartë po shpërfaqet qëndrimi i tij. I pengon Marrëveshja e Ohrit, Badenteri, gjuha shqipe, ndërsa tani edhe arsimi i lartë në gjuhën shqipe“, shprehet Zenku.
Sipas tij, partia e Mickoskit kishte kontestuar që në vitin 2003, në Gjykatën Kushtetuese, financimin shtetëror të arsimit të lartë në gjuhën shqipe.
„Në vitin 2005, Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë këtë argument, duke konstatuar se Kushtetuta nuk e ndalon arsimin e lartë në gjuhën e komuniteteve. Sot, më shumë se dy dekada më vonë, Mickoski riaktualizon të njëjtën temë“, thekson Zenku.
Ai e cilëson këtë zhvillim si shqetësues, duke shtuar: „Në vend që të merret me problemet ekonomike të shtetit, kryeministri gjen kohë të vërë në pikëpyetje edhe të drejtat e fituara prej dekadash nga shqiptarët“.
Furkan Saliu ngre pikëpyetje për Marrëveshjen e Ohrit
Në të njëjtin kontekst të debatit për të drejtat e shqiptarëve dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, gazetari Furkan Saliu kishte publikuar më 24 nëntor një reagim, në të cilin vuri në pikëpyetje të ardhmen e kësaj marrëveshjeje gjatë mandatit të qeverisë aktuale.
„Nuk është më çështja se kush ka bërë më pak e kush më shumë për këtë popull. Pyetja që shtrohet tani është nëse VLEN-i do të arrijë ta shfuqizojë edhe Marrëveshjen e Ohrit deri në fund të mandatit“, shkroi Saliu.
Reagimi i tij ishte i drejtuar ndaj zhvillimeve politike dhe rolit të përfaqësuesve shqiptarë në qeverisje, ndërsa deklarata e fundit e Mickoskit për arsimin e lartë në gjuhën shqipe e rikthen në vëmendje debatin për zbatimin e marrëveshjes.
Marrëveshja e Ohrit dhe pika 6.2
Një nga elementet kryesore të këtij debati është pika 6.2 e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Ajo përcakton se financimi shtetëror do të sigurohet për arsimin universitar në gjuhët që fliten nga së paku 20 për qind e popullsisë, mbi bazën e marrëveshjeve të veçanta.
Kjo dispozitë e përmend shprehimisht arsimin universitar dhe financimin shtetëror, duke e bërë Marrëveshjen e Ohrit pjesë të domosdoshme të debatit për arsimin e lartë në gjuhën shqipe.
Ndërkaq, Amendamenti VIII i Kushtetutës garanton shprehimisht të drejtën e pjesëtarëve të komuniteteve për arsimim në gjuhën e tyre në nivelin fillor dhe të mesëm. Megjithatë, kjo dispozitë nuk përmban një formulim të drejtpërdrejtë që ndalon arsimin e lartë në gjuhët e tjera.
Për këtë arsye, debati kërkon shqyrtimin e tërësisë së dispozitave kushtetuese, Marrëveshjes së Ohrit dhe vendimeve gjyqësore që kanë trajtuar këtë çështje.
Deklarata e Mickoskit dhe reagimet e Zenkut e Saliut e vendosin sërish në qendër të vëmendjes raportin mes qëndrimeve të Qeverisë, të drejtave gjuhësore dhe zbatimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Gazeta Flaka















