Mickoski ngriti alarmin diplomatik, MPJ-ja thirri ambasadorin shqiptar Denion Meidani!
Tensionet rreth protestave të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë kaluar edhe në nivel diplomatik. Kryeministri Hristijan Mickoski gjatë konferencës së sotme për media aludoi për ndikim të faktorëve të jashtëm në organizimin dhe mbështetjen e protestave, duke lënë të kuptohet se në fokus është edhe ambasadori shqiptar në Shkup, Denion Meidani.
Pas deklaratave të Mickoskit, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka thirrur përfaqësues të ambasadës shqiptare në Shkup, ku i është dorëzuar një demarsh verbal lidhur me deklaratat publike të ambasadorit Meidani në mbështetje të studentëve shqiptarë që kërkojnë zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Sipas burimeve diplomatike, në takim nuk ka marrë pjesë vetë ambasadori, por zëvendësambasadori shqiptar. Autoritetet maqedonase kanë vlerësuar se deklaratat e Meidanit “afrohen me kufirin mes komunikimit legjitim diplomatik dhe ndërhyrjes në punët e brendshme të vendit”.
Nga ana tjetër, pala shqiptare ka ngritur shqetësimin për trajtimin e rreth 40 studentëve shqiptarë që udhëtonin me autobus nga Tirana drejt Shkupit për të marrë pjesë në protestën studentore, duke kërkuar sqarime për ndalimin dhe kontrollin e tyre në kufi.
Përplasja diplomatike vjen në kohën kur protestat e studentëve shqiptarë po marrin mbështetje më të gjerë publike dhe politike, ndërsa debati për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës është kthyer në një nga temat më të ndjeshme politike në vend.
Sakaq, Bilall Kasami deklaroi se as VLEN dhe as Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk kanë kërkuar në asnjë moment tërheqjen e ambasadorit shqiptar në Shkup, Denion Meidani. I pyetur nëse është kërkuar largimi i Meidanit, Kasami tha se kjo është çështje që i takon ekskluzivisht shtetit shqiptar. Megjithatë, ai kritikoi qasjen dhe deklaratat publike të ambasadorit shqiptar gjatë zhvillimeve të fundit.
Por reagimi i kryeministrit Hristijan Mickoski dhe thirrja zyrtare e përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Ministrinë e Punëve të Jashtme tregojnë se autoritetet maqedonase e kanë ngritur çështjen në nivel diplomatik, duke lënë hapësirë për interpretime të kundërta me deklaratën e Kasamit. Gazeta Flaka
















