Mickoski për akuzat e prokurorëve të lartë: Kryeprokurori të tregojë se si qëndron e vërteta
Pas akuzave të prokurorëve të lartë se kryeprokurori, Lupço Kocevski, u ka bërë presion në një rast gjyqësor, ka reaguar kryeministri, Hristijan Mickoski. Ai thotë se nëse vërtet është ashtu siç thuhet, prokurori i shtetit duhet të dalë para opinionit dhe të shpjegojë se si qëndron e vërteta.
Sipas vlerësimit të kryeministrit, nuk është vetëm ky rast që është i paqartë, por Prokuroria Publike, gjegjësisht Kocevski, duhet të japë përgjigje për shumë lëndë të tjera që janë udhëhequr nga ish-PSP-ja.
“E mbani mend letrën e Katica Janevës, që e ka shkruar në burg? Nuk e kemi parë akoma, ndërsa ajo letër e Janevës u mundësoi këtyre proceseve që ishin pjesë e ish-PSP-së, e cila, e dini, u shemb për shkak të një çante të markës Louis Vuiton plot me valuta, vazhduan të funksionojnë dhe ne si parti politike jemi ende viktimë e sistemit. Ne kemi një pronë të bllokuar, shpesh edhe një llogari të bllokuar. Edhe vendimi i shkallës dytë është i qartë. Pra, ka shumë gjëra që duhen shpjeguar. Po ashtu, të jepet një shpjegim nga ato materiale që janë konstatuar për regjistrimin e bisedave të prokurorëve, gjyqtarëve, për të cilat ministri i atëhershëm i PB-së tha diçka tjetër. Ka shumë gjëra për të cilat PP duhet të përgjigjet.”, – deklaroi kryeministri, Hristian Mickoski.
Sipas akuzave, Kocevski ka kërkuar që të kenë kujdes në rastin me bonuset e PSP-së dhe partisë politike VMRO – DPMNE të mos i jepet statusi i të dëmtuarit.
Kocevski hodhi poshtë këto akuza dhe tha se as në këtë rast dhe në asnjë rast tjetër nuk ka pasur presione. Ndërsa nga Këshilli i Prokurorëve Publikë për TVM-në thanë se janë duke mbledhur informacione për atë që ka ndodhur dhe se do të kërkohet seancë publik në Këshillin e Prokurorëve.
















