“Mlladiqi ‘hero’ nga zyrtarët e Qeverisë? Kitanoviqit i kërkohet të tërheqë qëndrimin
Drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, ka shpërndarë një përmbajtje që glorifikon ish-komandantin e ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Pas reagimeve të ashpra, Qeveria e ka cilësuar qëndrimin si “personal dhe të papranueshëm”.
Një publikim në rrjetet sociale nga drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik në Maqedoninë e Veriut, pasi në të glorifikohet ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiq.
Mlladiqi, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”, ndërroi jetë më 27 gusht në Hagë, ndërsa vuante dënimin e përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ai u shpall fajtor edhe për rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës dhe rrethimin e Sarajevës.
Publikimi i shpërndarë nga Kitanoviqi përmban një narrativë që e paraqet Mlladiqin si figurë që i ka shërbyer popullit serb dhe e vë në pikëpyetje drejtësinë e procesit gjyqësor në Hagë.
Smailoviq: Çfarë mesazhi u dërgohet komuniteteve?
Ndaj publikimit ka reaguar aktivistja për të drejtat e njeriut, Mersiha Smailoviq, e cila ka ngritur pikëpyetje për rolin dhe përgjegjësinë e Kitanoviqit si drejtues i një institucioni që ka për detyrë të avancojë të drejtat e komuniteteve dhe të kontribuojë në besimin dhe barazinë ndëretnike.
Sipas Smailoviqit, problemi nuk mund të trajtohet thjesht si mendim personal i një zyrtari, pasi bëhet fjalë për drejtuesin e një institucioni shtetëror.
“Por imagjinoni, pikërisht ai, gjatë orarit të punës, publikisht shpërndan përmbajtje që madhëron çetnikët historikë, por edhe me nderimet më të mëdha e glorifikon Ratko Mlladiqin, të dënuar përfundimisht për gjenocid dhe krime të tjera ndërkombëtare”, ka shkruar ajo.
Ajo u është drejtuar ministrit Bekim Sali dhe kryeministrit Hristijan Mickoski me pyetjen se çfarë të drejtash mund të avancojë një zyrtar që shfaq qëndrime të tilla dhe çfarë mesazhi u dërgohet komuniteteve që ky institucion duhet t’i mbrojë.
Smailoviq ka ngritur gjithashtu shqetësimin se si pjesëtarët e komuniteteve që punojnë në këtë institucion mund të ndihen të sigurt në vendin e tyre të punës.
“Kjo nuk është vetëm një qëndrim personal. Kjo është çështje e përgjegjësisë institucionale, besimit dhe sigurisë”, ka theksuar ajo.
Qeveria: Qëndrimi i Kitanoviqit është personal dhe i papranueshëm
Pas reagimeve publike, ka reaguar edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Nga Qeveria kanë theksuar se qëndrimi zyrtar i shtetit bazohet në faktet juridike të përcaktuara ndërkombëtarisht dhe se Ratko Mlladiqi është dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte nga një gjykatë ndërkombëtare kompetente.
Qeveria e ka cilësuar qëndrimin e Kitanoviqit si “personal dhe të papranueshëm”, duke theksuar se funksionarët duhet t’i respektojnë qëndrimet dhe politikat e institucioneve ku ushtrojnë detyrat.
“Voluntarizmi është i papranueshëm dhe Qeveria do t’i kërkojë Kitanoviqit ta tërheqë qëndrimin”, thuhet në reagimin qeveritar.
Nga Qeveria bëjnë të ditur se, nëse Kitanoviqi nuk pajtohet me politikat e Qeverisë, pritet që ai të tërhiqet nga pozita që ushtron.
Edhe partia e Stoilkoviqit glorifikon Mlladiqin
Rasti është bërë edhe më kontrovers për shkak të një publikimi të bërë nga partia e Ivan Stoilkoviqit, ku Ratko Mlladiqi paraqitet si “shpëtimtar i popullit serb në Bosnjë”.
Në mesazh, Mlladiqi përshkruhet si njeri që “e donte popullin e tij” dhe që “i shërbeu gjatë gjithë jetës”, ndërsa procesi gjyqësor në Hagë cilësohet si i padrejtë dhe i politizuar.
Kjo retorikë ka shkaktuar reagime të forta, sidomos duke pasur parasysh se Mlladiqi u dënua përfundimisht për gjenocid, përfshirë Srebrenicën, ku forcat nën komandën e tij vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.
BDI: Ky është “poshtërimi që na e servuan si ndryshim”
Për rastin ka reaguar edhe BDI-ja, e cila përgjegjësinë politike e lidh edhe me VLEN-in, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e kësaj strukture në Qeveri.
Nga BDI-ja e kanë cilësuar rastin si të papranueshëm, duke argumentuar se është paradoksale që një drejtues i institucionit përgjegjës për të drejtat e komuniteteve të shfaqë publikisht qëndrime që glorifikojnë një person të dënuar për krime të rënda ndërkombëtare.
“Ky është poshtërimi që na e servuan si ‘ndryshim’!”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Debati rikthen edhe qëndrimet e Stoilkoviqit për Srebrenicën
Rasti rikthen në vëmendje edhe deklaratat e mëhershme të Ivan Stoilkoviqit lidhur me gjenocidin në Srebrenicë.
Stoilkoviqi, i cili është i njohur për qëndrime të afërta me narrativat e nacionalizmit serb dhe të ashtuquajturën “Botë Serbe”, në një publikim të mëhershëm e kishte quajtur Srebrenicën “Diznilend nekrofil”.
Për këto qëndrime, dy organizata boshnjake në vend kanë ngritur kallëzim penal ndaj tij, duke e akuzuar për mohimin dhe talljen me gjenocidin në Srebrenicë.
Ndërkohë, pas vdekjes së Mlladiqit, glorifikimi i figurës së tij është rikthyer në pjesë të hapësirës publike serbe dhe pro-ruse në rajon. Media rajonale kanë dokumentuar mesazhe që e paraqesin atë si “hero” ose “mbrojtës të serbëve”, në kundërshtim me faktet dhe verdiktet e gjykatave ndërkombëtare.
Qeveria vendos kufirin: ose tërheqje, ose dorëheqje
Në një zhvillim që e zhvendos rastin nga debati në rrjetet sociale në përgjegjësi institucionale, Qeveria ka bërë të qartë se nuk e pranon qëndrimin e Kitanoviqit.
Tani mbetet të shihet nëse drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve do ta tërheqë publikimin dhe qëndrimin e tij, apo do të zgjedhë të largohet nga funksioni.
Rasti ka hapur një debat më të gjerë për kufirin mes qëndrimit personal të një zyrtari dhe përgjegjësisë që bart një funksionar publik, veçanërisht kur bëhet fjalë për një institucion që duhet të ndërtojë besim ndërmjet komuniteteve.
Në këtë rast, pyetja nuk është vetëm se çfarë mendon një individ për Ratko Mlladiqin, por nëse një person që ushtron një funksion publik mund të përfaqësojë një institucion shtetëror duke promovuar një narrativë që bie ndesh me faktet juridike. Gazeta Flaka















