MPB ngre kallëzim penal ndaj një polici për falsifikim dokumentesh
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka ngritur kallëzim penal ndaj një zyrtari policor me inicialet A.A., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale „falsifikim i dokumenteve“, në bazë të nenit 378 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit të MPB-së, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale e ka dorëzuar kallëzimin në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP-NKOK), përkatësisht në departamentin e specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve.
Sipas dyshimeve të raportuara, zyrtari policor, i punësuar në Departamentin për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve të Caktuara pranë MPB-së, dyshohet se ka përgatitur dhe përdorur dy vërtetime të falsifikuara për dhurim gjaku, ndonëse më 3 mars dhe 9 korrik 2026 nuk kishte dhuruar gjak në Institutin e Mjekësisë Transfuzive pranë kompleksit të klinikave „Nënë Tereza“.
Bazuar në këto vërtetime, ai kishte përgatitur dy kërkesa për shfrytëzimin e tri ditëve të pushimit me pagesë për secilin rast. Pushimi i parë ishte kërkuar për datat 3, 4 dhe 5 mars 2026, ndërsa i dyti për datat 9, 10 dhe 13 korrik 2026.
MPB-ja njofton se, përveç kallëzimit penal, Departamenti për Kontroll të Brendshëm do të paraqesë edhe propozim për nisjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore ndaj zyrtarit policor, për shkelje të rendit dhe disiplinës në punë. Gazeta Flaka












