Muhammed Dauti nga Tetova shpallet kampion bote në kickboxing në Madrid
Sportisti i ri nga Tetova, Muhammed Dauti, ka fituar titullin kampion bote në disiplinën Kick Light, në garat ndërkombëtare të kickboxing-ut të organizuara nga Federata Ndërkombëtare ISKA në Madrid të Spanjës.
Dauti, pjesëtar i klubit Wolf Kickboxing & MMA, triumfoi në grupmoshën 6–11 vjeç, në kategorinë mbi 55 kilogramë, duke siguruar vendin e parë dhe medaljen e artë në këtë garë ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të Federatës ISKA të Maqedonisë së Veriut, sportisti nga Tetova tregoi paraqitje të shkëlqyer, duke dëshmuar teknikë, guxim, vendosmëri dhe përgatitje të lartë sportive.
Federata ISKA e Maqedonisë së Veriut e ka cilësuar këtë rezultat si një arritje të jashtëzakonshme për sportin vendor, duke shprehur urimet për kampionin e ri botëror.
Njëkohësisht, në njoftim vlerësohet edhe puna e klubit Wolf Kickboxing & MMA, si dhe angazhimi i trajnerit Naim Samiu në përgatitjen dhe afirmimin e sportistëve të rinj.
Ky sukses e vendos emrin e Muhammed Dautit në mesin e fituesve të garave ndërkombëtare të kickboxing-ut, ndërsa përfaqësimi i tij në Madrid shënon një tjetër arritje sportive për Tetovën dhe Maqedoninë e Veriut.
“Kampionë të tillë janë dëshmia më e mirë se investimi në sport, puna me të rinjtë dhe përkushtimi ndaj vlerave sportive sjellin rezultate që tejkalojnë kufijtë e vendit tonë”, thuhet në urimin e Federatës ISKA të Maqedonisë së Veriut.
Urime, Muhammed Dauti! Gazeta Flaka











