Murati: Avokati i Popullit në Tetovë të reagojë për mungesën e ndriçimit publik në rrugët e qytetit
Këshilltari komunal i BDI-së në Tetovë, Berat Murati, i ka bërë thirrje publike Zyrës Rajonale të Avokatit të Popullit në Tetovë që të ndërmarrë veprime lidhur me mungesën e ndriçimit publik në disa rrugë të rëndësishme të qytetit, veçanërisht në zonat ku ndodhen shkolla dhe universitete.
Murati vlerëson se mungesa e ndriçimit nuk është thjesht problem infrastrukturor, por çështje që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e jetës, pasi nxënësit, studentët dhe këmbësorët detyrohen të lëvizin në rrugë të errëta.
Ai thotë se, në cilësinë e këshilltarit komunal, ka përgjegjësi të kërkojë mbrojtje institucionale kur shqetësimet e qytetarëve nuk marrin zgjidhje përmes mekanizmave të pushtetit lokal.
Në reagimin e tij publik, Murati kritikon mosreagimin e Zyrës Rajonale të Avokatit të Popullit, duke e cilësuar atë si një institucion që, sipas tij, ka qëndruar në letargji institucionale për më shumë se dy dekada.
“Avokati i Popullit nuk është institucion dekorativ, as një adresë që ekziston vetëm në tabelat zyrtare dhe në raportet vjetore. Mandati i tij kushtetues dhe ligjor kërkon veprim, mbikëqyrje, reagim dhe mbrojtje konkrete të qytetarëve pikërisht atëherë kur institucionet e tjera dështojnë”, thekson Murati.
Ai kërkon nga Zyra Rajonale e Avokatit të Popullit në Tetovë që të hapë procedurë për çështjen e sigurisë dhe të drejtave të qytetarëve, t’u drejtohet institucioneve përgjegjëse me kërkesë për masa urgjente dhe të kërkojë zgjidhje konkrete, si dhe llogaridhënie për atë që e cilëson neglizhencë institucionale.
Murati paralajmëron se mungesa e ndriçimit në rrugët ku qarkullojnë nxënës dhe studentë mund të krijojë rrezik serioz për këmbësorët dhe kërkon reagim institucional pa pritur që të ndodhë ndonjë aksident me pasoja tragjike.
“Rrugët e errëta nuk janë thjesht mungesë poçesh elektrike. Janë mungesë përgjegjësie, mungesë reagimi dhe mungesë respekti për jetën e qytetarëve”, përfundon reagimi i këshilltarit komunal të BDI-së, Berat Murati. Flaka














