Musa: VLEN zgjodhi përgjegjësinë dhe rezultatet, Bexheti: Dy vite qeverisje, njëzet vite kthim prapa

Flaka
Botuar nga Flaka 28 Qershor, 2026 16:51

Musa: VLEN zgjodhi përgjegjësinë dhe rezultatet, Bexheti: Dy vite qeverisje, njëzet vite kthim prapa

Nënkryetarja e VLEN-it, Mimoza Musa, deklaroi se gjatë 24 muajve të qeverisjes koalicioni ka dëshmuar se pushtetin e sheh si përgjegjësi dhe jo si privilegj, duke theksuar se rezultatet konkrete janë matësi i vetëm i punës së tij. Ndërkohë, deputeti dhe nënkryetari i BDI-së, Blerim Bexheti, vlerësoi se dy vitet e qeverisjes kanë sjellë, sipas tij, prapakthim për shqiptarët dhe dobësim të pozitës së tyre institucionale.

Duke folur në shënimin e dyvjetorit të qeverisjes së VLEN-it, nën moton “Transparencë dhe llogaridhënie”, Musa tha se ndryshimi ndërtohet përmes vendimeve dhe investimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

“Ka një dallim të madh mes atyre që e shohin pushtetin si privilegj dhe atyre që e shohin si përgjegjësi. VLEN zgjodhi përgjegjësinë. Zgjodhi të matet me rezultate, sepse vetëm rezultatet mbeten. Në këto 24 muaj, VLEN ka dëshmuar se ndryshimi nuk ndërtohet me retorikë, por me vendime që prodhojnë zhvillim, me investime që krijojnë mundësi dhe me projekte që prekin jetën e qytetarëve”, deklaroi Musa.

Ajo theksoi se, sipas saj, falë angazhimit të VLEN-it në qeveri po realizohen 306 projekte në komunat shqiptare, ndërsa përmes Planit Operativ për Punësim pritet të hapen mbi 2.500 biznese të reja.

“Për vite me radhë, komunat shqiptare prisnin investime dhe trajtim të barabartë. Sot, falë angazhimit të VLEN-it në qeveri, 306 projekte po transformojnë komunat shqiptare. Ky nuk është vetëm një numër. Është një filozofi e re e qeverisjes: zhvillimi duhet të arrijë kudo, jo vetëm aty ku e dikton interesi politik”, tha ajo.

Musa përmendi gjithashtu projektet infrastrukturore si autostrada Shkup–Bllacë, Korridori 8, funksionalizimin e sistemit “One Stop Shop” në disa pika kufitare, investimet në Spitalin e Tetovës dhe fazën e tretë të Sheshit “Skënderbeu”.

“VLEN nuk kërkon të gjykohet nga premtimet. VLEN kërkon të gjykohet nga puna e bërë. Për VLEN-in, politika nuk matet me premtime. Matet me projekte, investime dhe zhvillim që qytetarët i shohin, i prekin dhe i jetojnë çdo ditë”, përfundoi Musa.

Nga ana tjetër, deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, reagoi me një mesazh kritik ndaj qeverisjes së VLEN-it, duke e cilësuar bilancin e dy viteve si “njëzet vite kthim prapa”.

“Premtuan ndryshim, sollën nënshtrim. Premtuan dinjitet, sollën poshtërim. Premtuan përfaqësim, pranuan fshirjen e mekanizmave që garantonin punësimin e shqiptarëve”, shkroi Bexheti.

Sipas tij, premtimet për barazi, meritokraci, integrim evropian dhe rol vendimmarrës të shqiptarëve nuk janë realizuar.

“Sot, pas dy vitesh, nuk mbeti as plan, as barazi, as vendimmarrje. Mbeti vetëm një realitet i hidhur: shqiptarët nuk humbën sepse nuk kishin zë, por humbën sepse ata që duhej ta mbronin këtë zë, zgjodhën të nënshtrohen”, deklaroi ai.

Bexheti akuzoi VLEN-in se nuk ka mbrojtur mekanizmat e përfaqësimit të drejtë dhe se nuk ka arritur t’i vendosë premtimet e tij në agjendën qeveritare.

“Problemi nuk është vetëm se VLEN nuk i realizoi premtimet. Problemi më i madh është se nuk arriti as t’i vendosë premtimet në tavolinën e qeverisë. Nga partner politik u shndërrua në dekor të shëmtuar qeveritar”, u shpreh ai.

Në përfundim, Bexheti tha se qytetarët, sipas tij, përballen me “më pak dinjitet, më pak përfaqësim, më pak siguri për të drejtat dhe shumë poshtërim”, duke shtuar se “këtë shqiptarët nuk do ta harrojnë”. Gazeta Flaka

22

“A po realizohet programi zgjedhor në Komunën e Tetovës?”

Flaka
Botuar nga Flaka 28 Qershor, 2026 16:51
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
22

“A po realizohet programi zgjedhor në Komunën e Tetovës?”

  • DritonZenku
    Shkollat po mbyllen, fshatrat po zbrazen: alarmi demografik në Maqedoninë e Veriut