Nafie Selmani: Akuzat e Bekim Qokut ndaj gazetarëve janë sulm ndaj lirisë së medias
Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, kur vendi po përballet me rënie në renditjet për lirinë e medias, reagimet politike kanë nxitur debat të ashpër në opinion.
Nafie Selmani ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të koalicionit VLEN, Bekim Qoku, duke i cilësuar ato si sulm të drejtpërdrejtë ndaj gazetarëve dhe tentativë për delegjitimimin e medias kritike.
“Dje, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, kur RMV ka shënuar rënie në renditjet për lirinë e medias, pritej reflektim institucional dhe përgjegjësi politike. Por ndodhi e kundërta. VLENi, në vend që të heshtë apo të japë llogari për klimën e përkeqësuar ndaj mediave, zgjodhi të sulmojë dhe akuzojë gazetarët për mercenarizëm”, ka deklaruar Selmani.
Ajo reagoi pas statusit të publikuar nga deputeti Bekim Qoku në rrjetet sociale, ku ai kishte shkruar:
“Sot derdhen dhjetëra mijëra euro për reportazhe vajtuese, të prodhuara nga gazetare e gazetarë mercenarë, për të blerë narrativë sipas porosisë së paguesit.”
Selmani tha se akuza të tilla, të bëra pa prova konkrete, përbëjnë përpjekje për frikësim të gazetarëve.
“Imagjinoni, një përfaqësues i zgjedhur i popullit del publikisht dhe akuzon një sektor të tërë, median, për korrupsion dhe shitje të ndërgjegjes profesionale, pa ofruar asnjë provë konkrete. Kjo nuk mund të kuptohet assesi ndryshe pos si përpjekje për delegjitimim të zërit kritik dhe për të frikësuar gazetarinë e pavarur”, është shprehur ajo.
Sipas Selmanit, një retorikë e tillë nuk është parë as në periudhat më problematike të raportit mes politikës dhe mediave.
“Kjo nuk mbahet mend as në periudhat më të errëta të presionit politik ndaj mediave”, theksoi ajo.
Në reagimin e saj, Selmani i drejtohet drejtpërdrejt deputetit Qoku dhe koalicionit VLEN, duke ngritur pyetje mbi, siç thotë ajo, prioritetet politike të tyre.
“Qoku dhe VLEN, po e zëmë për një moment se keni të drejtë. Le ta pranojmë si hipotezë. Atëherë ne po ju pyesim ju: A është më e rrezikshme për shoqërinë dhe shqiptarët që opozita të ketë media që e mbështesin, apo fakti që ju i bëni mercenarizmin politikave antishqiptare, kundër gjuhës shqipe, kundër studentëve, dhe që prodhojnë përjashtim sistematik të shqiptarëve nga institucionet?”, deklaroi Selmani.
Ajo e përmbylli reagimin me një pyetje ironike drejtuar deputetit të VLEN-it:
“Hë, Qoku, na thuaj a ia Vlen ky mercenarizmi juaj antishqiptar, dhe sa kushton?” Gazeta Flaka
















