Nafie Selmani: “Po Albin Kurti çfarë halli ka?”
Nafie Selmani ka reaguar ashpër pas mosintonimit të himnit kombëtar shqiptar në kongresin e VLEN-it, duke e cilësuar këtë si një ngjarje të paprecedentë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut.
Ajo thekson se përgjegjësia për këtë veprim nuk duhet t’i faturohet kryeministrit Hristijan Mickoski, por vetë përfaqësuesve politikë shqiptarë.
“Për herë të parë që nga pavarësia e RMV-së ndodhi që një grupacion politik shqiptar të mos e intonojë himnin kombëtar në një ngjarje si ajo e copëtimit të VLEN-it, që po e propagojnë si ‘bashkim’”, shkruan Selmani.
Sipas saj, fajin nuk e ka Mickoski, por ata që, siç thotë ajo, “kanë frikë nga gjuha shqipe, himni kombëtar dhe studentët shqiptarë”.
Selmani ndalet veçanërisht te prania e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në këtë ngjarje, duke ngritur pikëpyetje për qëndrimin e tij.
“Më e pakta që duhej e pritej të bënte kryeministri i Kosovës ishte ta braktiste atë sallë në një ngjarje që në përmbajtje dhe simbolikë nuk i përfaqësonte shqiptarët”, shprehet ajo.
Në reagimin e saj, ajo pyet drejtpërdrejt: “Çfarë pati Albin Kurti që e pranoi këtë poshtërim në mes të Shkupit, ku jetojnë qindra mijëra shqiptarë?”
Duke iu drejtuar kryeministrit kosovar, Selmani përfundon me një mesazh kritik:
“Albin, ty të pëlqen të të quajnë shqiptarët ‘babë’, por ti me ne shqiptarët në RMV po sillesh si ‘njerk’ i pakujdesshëm”.
















