Nafie Selmani: VLEN është puzzle politik që nuk bashkohet dot
Aktivistja qytetare, Nafie Selmani ka reaguar ndaj paralajmërimeve për organizimin politik të koalicionit VLEN më 9 maj, duke e cilësuar nismën “VLENI Një” si, sipas saj, një tjetër mashtrim politik pas premtimeve për ndryshim.
Në reagimin e saj, Selmani thotë se pas asaj që e quan “mashtrimi i madh i ndryshimit”, qytetarëve po u serviret një tjetër spektakël politik.
“Pas mashtrimit të madh që u shit si ‘ndryshim’, VLEN-i po përgatit mashtrimin e radhës, një spektakël politik ‘VLENI Një’. Këtë shfaqje e kanë paralajmëruar për datën 9 maj”, ka deklaruar ajo.
Sipas Selmanit, pretendimi se pesë parti politike po bashkohen në një subjekt të vetëm nuk qëndron.
“Le t’ua çmontojmë që në fillim gënjeshtrën se ‘5 parti po bëhen 1’. Në VLEN nuk ekzistojnë pesë parti. Aty ka 2–3 parti të vogla, dhe disa individë që nuk kanë as parti, as struktura, as anëtarësi, as mbështetje qytetare”, është shprehur ajo.
Ajo vlerëson se pjesë e këtij koalicioni janë figura që, sipas saj, udhëhiqen nga interesa personale dhe jo nga një projekt i përbashkët politik.
“Këta janë aty për interesa personale, për pozicione dhe kalkulime individuale, jo për ndonjë vizion të përbashkët politik”, tha Selmani.
Duke komentuar funksionimin e brendshëm të VLEN-it, Selmani thekson se koalicioni nuk mbështetet mbi parime të qëndrueshme.
“E vërteta është se VLEN-i, në këtë formë siç ekziston sot, nuk mbahet bashkë nga parimet apo programi, por nga interesat e përkohshme. Është një ‘bashkim’ artificial, i mbajtur në këmbë më shumë nga presioni dhe kalkulimet e pushtetit dhe nga partneri i tyre qeveritar, sesa nga bindja dhe uniteti i brendshëm”, deklaroi ajo.
Për ngjarjen e paralajmëruar më 9 maj, Selmani tha se bëhet fjalë për një aktivitet simbolik pa substancë reale politike.
“Ngjarja e 9 majit nuk është bashkim i sinqertë. Është një shfaqje për konsum të brendshëm, për të mbajtur gjallë moralin e aktivistëve”, tha ajo.
Ajo parashikon se pas këtij zhvillimi do të ketë përçarje të reja brenda koalicionit.
“Historia e këtyre bashkimeve të improvizuara na ka mësuar se ato nuk prodhojnë stabilitet, por përçarje të reja. Pas 9 majit, disa prej këtyre figurave do të përballen me të njëjtin fat politik që kanë pasur disa të tjerë aty, si p.sh. Arben Fetai, margjinalizim, zhgënjim dhe dalje nga skena”, u shpreh Selmani.
Në fund, ajo e përkufizoi VLEN-in si një strukturë të paqëndrueshme politikisht.
“VLEN-i nuk është një organizëm i mirëfilltë politik, por është puzzle me pjesë që nuk përputhen. Dhe një puzzle që nuk bashkohet dot, nuk bëhet kurrë figurë”, përfundoi Selmani. Gazeta Flaka
















