Nafta bie, benzina rritet: ja sa do të kushtojnë karburantet nga mesnata
Dizeli ulet me 6,5 denarë për litër, ndërsa benzina shtrenjtohet me 1 denar. Rregullatori thotë se çmimet mesatare të derivateve bien me 2,06 për qind.
Nga mesnata hyjnë në fuqi çmime të reja për karburantet në vend, me lëvizje të ndryshme sipas llojit të derivatit.
Vendimi i Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Menaxhim të Mbeturinave sjell ulje të ndjeshme të çmimit të dizelit, ndërsa benzina bëhet pak më e shtrenjtë.
Çmimet maksimale nga mesnata do të jenë:
- Eurosuper BS-95 – 94 denarë/litër
- Eurosuper BS-98 – 96 denarë/litër
- Eurodizel BS – 95 denarë/litër
- Vaj ekstra i lehtë për amvisëri – 97 denarë/litër
- Mazut M-1 NS – 44,410 denarë/kg
Dizeli pëson uljen më të madhe, me 6,5 denarë për litër, ndërsa vaji ekstra i lehtë ulet për 3,5 denarë. Mazuti lirohet për 1,166 denarë për kilogram.
Në anën tjetër, të dyja llojet e benzinës shtrenjtohen me 1 denar për litër.
Sipas Rregullatorit, ndryshimet reflektojnë lëvizjet e çmimeve referente në tregjet ndërkombëtare. Krahasuar me përllogaritjen e kaluar, benzina është shtrenjtuar në tregjet botërore me 2,212 për qind, ndërsa dizeli ka shënuar rënie prej 8,237 për qind.
Rënie është regjistruar edhe te vaji ekstra i lehtë, me 4,389 për qind, dhe te mazuti, me 2,793 për qind.
Në total, me vendimin e ri, çmimet mesatare të shitjes me pakicë të derivateve të naftës ulen për 2,06 për qind.
Çmimet e përcaktuara nga Rregullatori janë çmime maksimale, që do të thotë se pikat e karburantit kanë të drejtë t’i shesin derivatet edhe më lirë. Gazeta Flaka













