Ndahet nga jeta veterani i gazetarisë shqiptare, Nijazi Muhamedi
Është ndarë nga jeta sot, më 2 korrik, veterani i gazetarisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Nijazi Muhamedi, një prej emrave më të njohur që la gjurmë të pashlyeshme në median dhe publicistikën shqiptare.
Muhamedi i kushtoi dekada të tëra gazetarisë, duke punuar në media të ndryshme në gjuhën shqipe, ndërsa për shumë vite ishte pjesë e Radio Televizionit të Maqedonisë, ku ushtroi detyra të rëndësishme si gazetar, redaktor dhe drejtues. Ai ishte ndër zërat që kontribuoi në zhvillimin e gazetarisë profesionale në gjuhën shqipe dhe në mbrojtjen e interesit publik.
Përveç veprimtarisë si gazetar, Nijazi Muhamedi njihej edhe si publicist dhe autor i disa veprave, në të cilat trajtoi çështje politike, historike dhe shoqërore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka ngjallur pikëllim te kolegët, miqtë dhe opinioni publik, të cilët e kujtojnë si një gazetar me integritet, profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj fjalës së lirë.
Redaksia e Flaka u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Muhamedi, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit të gazetarëve për humbjen e tij. Kujtimi dhe kontributi i Nijazi Muhamedit në gazetarinë shqiptare do të mbeten pjesë e rëndësishme e historisë së medias në vend. Gazeta Flaka
















