Në Ditën e Dëshmorëve, Ahmeti: Kujtimi për ta është obligim moral dhe kombëtar
Dita e Dëshmorëve u shënua edhe në Maqedoni. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, bëri homazhe në kompleksin memorial “Nëna shqiptare” në Zajaz. Në këtë kompleks janë burrat më të mëdhenj që kanë dhënë jetën për kombin, tha Ahmeti, duke shtuar se e kemi detyrim moral dhe kombëtar që gjakun dhe sakrificat e tyre t’i kujtojmë e të mos i harrojmë.
“Në këtë ditë të veçantë, më 5 Maj, në Ditën e Dëshmorëve të Kombit Shqiptar, bëra homazhe me nderim të thellë edhe pranë varreve të Beqir Limanit dhe Ruzhdi Veliut. Me përulësi kujtova veprën dhe sakrificën e tyre të madhe për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Ata mbeten shembull i përjetshëm i guximit dhe përkushtimit ndaj atdheut. Kujtimi i dëshmorëve tanë është obligim dhe frymëzim për të vazhduar rrugën e tyre me dinjitet e përgjegjësi. Lavdi e përjetshme të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar”!”, tha Ahmeti.
Ahmeti homazhe nderimi bëri edhe pranë varreve të shumë dëshmorëve, veprimtarëve dhe heronjve të kombit që prehen në vende të ndryshme, si në Dollogozhdë të Strugës, në Kërçovë, gjersa theksoi se kujtimi i tyre mbetet i gjallë dhe frymëzim i përhershëm për brezat që vijnë, si dëshmi e përkushtimit dhe sakrificës për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
















