Në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë thirrjet kundër shqiptarëve

Flaka
Botuar nga Flaka 7 Maj, 2026 10:49

Në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë thirrjet kundër shqiptarëve

Në vend që të përkrahin klubet sportive nëpër stadiume dhe salla, tifozët maqedonas vazhdojnë me brohoritje nacionaliste duke kërkuar dhoma gazi dhe vdekje për shqiptarët. Institucionet po veprojnë me hapa të ‘breshkës’ në dënimin dhe parandalimin e këtyre fenomeneve në terrenet sportive, ndërsa mosndëshkimi i thirrjeve nacionaliste ka ndikuar që ato të përsëriten vazhdimisht nëpër ndeshje sportive, shkruan Portalb.mk. 

Gjuha e urrejtjes dhe brohoritjet anti-shqiptare nuk kanë të ndalura në shkallët e stadiumeve. Në ndeshjen mes K.F. Vardarit dhe K.F. Tikveshit e vlefshme për javën 29, tifozët vendas ‘Komitët‘, brohoritnin se “Shqiptari i mirë, është shqiptari i vdekur”. 

Edhe pse ka kaluar më shumë se një javë nga dita kur tifozët e Vardarit brohorisnin duke kërkuar “vdekje për shqiptarët”, nga Komisioni Disiplinor i FFM-së, nuk e kanë parë të arsyeshme të dënojnë Vardarin për organizim e ndeshjeve si nikoqir.

Tifo grupi ‘Komitët‘, përveç K.F. Vardarit ata përkrahin edhe reprezentacionin e Maqedonisë së Veriut, ku kapiteni i ekipit është shqiptari nga Shkupi – Enis Bardhi, por përveç tij në ekipin e parë ka edhe tjerë futbollistë shqiptarë, këta lojtarë marrin ofendime nga vetë tifozët maqedonas.

Deri më tani për shkak të thirrjeve nacionaliste dhe anti-shqiptare, K.F.Vardari nga FFM-ja është dënuar me vetëm një ndeshje pa publik dhe 5.000 euro gjobë.

Kujtojmë se ky nuk është rasti i vetëm, i koreve anti-shqiptare në stadiume. Një gjuhë e tillë kohëve të fundit filloi që nga ndeshja e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë e vlefshme për para kualifikimet e Kampionatit Botëror.

E njëjta gjuhë e urrejtës vazhdoi edhe në disa ndeshje të futbollit, siç ishte ndeshje mes Vardarit dhe Bashkimit, apo edhe në ndeshje të tjera ku luante K.F. Vardari, K.F. Pelisteri dhe K.F. Tikveshi, qoftë me ekipe shqiptare apo maqedonase, tifozët maqedonas brohorisnin duke kërkuar vdekje apo dhoma gazi për shqiptarët. 

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD), për Portalb.mk ka shprehur shqetësim për dukuritë e shpeshta të gjuhës së urrejtjes në tribunat sportive. Sipas tyre, këto nuk janë vetëm incidente të izoluara, por tregojnë probleme më të thella sociale që lidhen me intolerancën, diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes në bazë të etnisë, kombësisë ose bazave të tjera. 

“Bazuar në Raportin e Punës së KPMD-së për vitin 2025, Komisioni ka vepruar në gjithsej 559 raste për mbrojtje nga diskriminimi. Numri më i madh i ankesave u paraqit për mbrojtje nga diskriminimi në bazë të kombësisë ose etnisë (22%), gjë që shpjegon edhe trendin në sjelljen e tifozëve dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes në fushat sportive. Sporti duhet të jetë një hapësirë për lojë të ndershme, respekt dhe bashkëjetesë, dhe jo një platformë për përhapjen e urrejtjes. KPMD u bën thirrje institucioneve kompetente, federatave sportive dhe klubeve që të marrin masa më efektive për të parandaluar dhe sanksionuar fenomene të tilla, duke përfshirë edukimin e tifozëve, mbikëqyrjen e shtuar dhe zbatimin e vazhdueshëm të dispozitave ligjore”, thonë nga Komisioni për Parandalim nga Diskriminimi.

Gjithashtu nga atje thonë se KPMD, së bashku me FFM-në dhe me mbështetjen e UNICEF-it, po zbaton fushatën “Një ekip për çdo fëmijë! Zero Diskriminim”. Fushata e përbashkët, siç thonë nga atje, synon ta bëjë çdo fushë, çdo shkollë dhe çdo komunitet një vend të sigurt dhe gjithëpërfshirës për të gjithë e veçanërisht për fëmijët.

Politologu Emrah Xhemaili, për Portalb.mk, tha se gjuha e urrejtjes në ndeshjet sportive mund të kuptohet si rezultat i normalizimit të diskurseve fyese dhe i riprodhimit të tyre si pjesë e kulturës së tifozëve. Siç thotë ai, në shumë raste ajo perceptohet si element i zakonshëm i ndeshjeve dhe grupet e tifozëve ushqehen me narrativë të gjuhës së urrejtjes qoftë etnike, lokale apo edhe mes ekipeve. 

“Grupet e tifozëve në vend se të përkrahin klubin e tyre ata zakonisht priren të thirrin në gjuhë të urrejtjes. Te ne shpeshherë skena e tifozëve është e lidhur me retorikën politike, duke përfshirë struktura të ndikueshme nga njëra apo tjetra parti politike. Kujtojmë që grupet e tifozëve edhe emërtimet i kanë si të jenë ushtri dhe jo grupe të tifozëve. Institucionet thuajse aspak nuk ndërmarrin masa ndëshkuese, duke lejuar që kjo dukuri të përsëritet dhe mungesa e ndëshkueshmerisë ka ndikuar që këto dukuri të përsëriten”, tha Xhemaili

Ai shtoi se ky fenomen forcohet ndjeshëm nga dinamika e turmës, ku individi i zhytur në një turmë, humb kontrollin dhe përgjegjësinë personale. Në këtë mjedis, siç tha ai, emocionet intensifikohen, normat grupore dominojnë dhe gjuha e urrejtjes shfaqet si formë e pranueshme e shprehjes dhe e përkatësisë ndaj grupit. 

Derisa gjuha urrejtjes po mbizotëron në stadiume, në vend që të gjendet zgjidhje për mos përsëritje të këtyre fenomeneve, partitë politike shpesh i kanë shfrytëzuar këto ngjarje në për të akuzuar njëra tjetrën.

Kujtojmë se Portalb.mk përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mos reagimi adekuat i MPB-së, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskpertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.

6
SONDAZHI

Nëse nesër mbahen zgjedhjet, kush i fiton?

Flaka
Botuar nga Flaka 7 Maj, 2026 10:49
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
6
SONDAZHI

Nëse nesër mbahen zgjedhjet, kush i fiton?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?