Nga Gostivari në universitetet elitare amerikane: Historia e një familjeje që investoi gjithçka te arsimi
Në një kohë kur shumë të rinj kërkojnë rrugën e suksesit jashtë kufijve, historia e Albanit, Albanës dhe Artës nga Gostivari vjen si dëshmi se investimi më i madh që mund të bëjë një familje është arsimi. Pas këtij rrugëtimi qëndron një sakrificë e jashtëzakonshme prindërore, një vizion afatgjatë dhe një përkushtim i palëkundur ndaj dijes.
Gjithçka nisi në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Gostivar, aty ku u hodhën themelet e para të formimit të tyre. Më pas, rrugëtimi akademik vazhdoi në shkollën “Woodrow Wilson” në Tetovë, ku, falë përkushtimit të stafit arsimor, ata morën një shtysë të rëndësishme drejt zhvillimit intelektual dhe profesional.
Ndërkohë, Arta ndoqi arsimin në “Nova International School” në Shkup, duke përfunduar me sukses programin prestigjioz International Baccalaureate (IB), një nga programet më të vlerësuara ndërkombëtare për përgatitjen akademike të studentëve.
Me synimin për standarde edhe më të larta arsimore, Albani dhe Albana vazhduan studimet në Gjermani, në kolegjin elitar “Stiftung Louisenlund”, një nga institucionet më prestigjioze të tipit boarding school në Europë. Aty ata jo vetëm përfunduan programin IB, por u formuan edhe si personalitete të pavarura dhe të përgatitura për sfidat globale.
Ky formim i avancuar u hapi dyert universiteteve më të mira në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të tre arritën të pranohen në tetë universitete të renditura në “Top 100” në SHBA, një sukses që rrallë shihet në rajon.
Albani dhe Albana diplomuan në “University of Minnesota Twin Cities”, ndërsa Arta përfundoi studimet në “University of Arizona”.
Sot, secili prej tyre ka ndërtuar profilin e vet profesional:
- Albani ka përfunduar Bachelor në Shkenca Financiare dhe Kompjuterike, si dhe Master në Robotic Finance në Lugano të Zvicrës;
- Albana është diplomuar në Interior Design Architecture;
- Arta ka kryer Bachelor në Business Administration me Minor në Public Relations.
Pas këtij suksesi qëndron edhe sakrifica e nënës së tyre, e cila hoqi dorë nga karriera profesionale për t’iu përkushtuar plotësisht edukimit dhe orientimit të fëmijëve. Familja e konsideron këtë vendim si investimin më të vlefshëm të jetës së tyre.
Ky rrëfim nuk është vetëm histori suksesi personale. Është një model që tregon se me vizion, disiplinë dhe mbështetje familjare, edhe nga Gostivari mund të arrihen universitetet elitare të botës. Gazeta Flaka
















