“Nuk është më e ardhme, por realitet” – Mimoza Musa ngre alarmin për krizën demografike
Deputetja Mimoza Musa nga radhët e VLEN ka marrë pjesë në Athinë në mbledhjen e Komisionit për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Siguri të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, ku në fokus ishin sfidat demografike dhe largimi i intelektualëve.
Në fjalën e saj, Musa theksoi se ndryshimet demografike nuk janë më një çështje e së ardhmes, por një realitet që tashmë po ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në tregun e punës, sistemet sociale dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
“Ndryshimet demografike nuk janë më një çështje e së ardhmes, por një realitet që tashmë po ndikon në tregun e punës, sistemet sociale dhe funksionimin e institucioneve demokratike”, deklaroi Musa.
Ajo vuri në dukje se Maqedonia e Veriut përballet me rënie të lindshmërisë, emigrim të lartë – sidomos të të rinjve dhe profesionistëve – si dhe me zbrazje të zonave rurale, zhvillime që sipas saj kanë pasoja serioze për kapitalin njerëzor dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.
“Në Maqedoninë e Veriut përballemi me emigrim të lartë dhe zbrazje të zonave rurale, çka sjell pasoja serioze për zhvillimin afatgjatë”, u shpreh ajo.
Musa bëri të ditur se institucionet janë duke punuar për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim Demografik dhe Rezistencë Demografike 2026–2036, e cila synon të kalojë nga fenomeni i “largimit të intelektualëve” drejt “qarkullimit të njohurive”.
“Po punojmë për të kaluar nga ‘largimi i intelektualëve’ drejt ‘qarkullimit të njohurive’, përmes forcimit të lidhjeve me diasporën dhe krijimit të mundësive për kthim dhe angazhim profesional”, theksoi Musa.
Ajo shtoi gjithashtu se institucionet e forta, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit mbeten faktorë kyç për politika të suksesshme dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve.
Në fund, Musa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke nënvizuar se sfidat e përbashkëta mund të shndërrohen në mundësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe prosperitet të përbashkët. Gazeta Flaka
















