Olise dëshiron Real Madridin, Bayerni përgatitet për zëvendësuesin – transferimi mund të thyejë rekordin botëror
Michael Olise dëshiron të transferohet te Real Madridi gjatë kësaj vere, raportojnë mediat ndërkombëtare. Sipas gazetarit Santi Aouna, sulmuesi francez e konsideron klubin madrilen si destinacionin ideal për të vazhduar zhvillimin e karrierës së tij.
Raporti shton se Olise pritet të zhvillojë bisedime me drejtuesit e Bayern Munich menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës, ku do të diskutohet e ardhmja e tij.
Zyrtarisht, Bayerni vazhdon të mbajë qëndrimin se lojtari nuk është në shitje. Megjithatë, sipas të njëjtit burim, drejtuesit bavarezë kanë nisur kontaktet me futbollistë që mund ta zëvendësojnë në rast të një largimi.
Një nga emrat që po shqyrtohet është Bradley Barcola. Kjo ka shtuar spekulimet se, pavarësisht deklaratave publike, brenda klubit ekziston mundësia e një transferimi nëse Real Madridi paraqet një ofertë të parezistueshme.
Madje, sipas raportimeve, klubi spanjoll është i gatshëm të tentojë një transferim rekord botëror për të siguruar shërbimet e Olise. Deri më tani nuk ka asnjë marrëveshje mes klubeve dhe situata pritet të marrë zhvillime të reja pas përfundimit të Kupës së Botës.
Flaka
















