Osmani pyet Kurtin: Si u bënë sponsorë të aktorëve që përmenden për afrimin me Beogradin?
Zëvendëskryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar me kritika ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e lidhur mbështetjen e tij për ndryshimin e pushtetit në Shkup me zhvillimet e fundit që, sipas tij, po shqetësojnë institucionet evropiane.
Sipas Osmanit, kur Kurti mbështeste ndryshimin e pushtetit në Maqedoninë e Veriut, ai e paraqiste atë si fitore të politikës së re ndaj establishmentit të vjetër. Megjithatë, ai thekson se sot po ngrihen shqetësime për orientimin gjeopolitik të vendit.
“Sot, Parlamenti Evropian ngre shqetësimin se Maqedonia e Veriut po afrohet gjithnjë e më shumë me qeverinë e Serbisë, po ekspozohet ndaj ndikimeve ruse dhe ndaj narrativave të ashtuquajturës ‘Bota Serbe’. Paradoksi është i qartë”, ka deklaruar Osmani.
Ai shton se nuk beson se Kurti ka pasur për qëllim forcimin e ndikimit serb në rajon, por nënvizon se politika duhet të vlerësohet nga pasojat dhe jo vetëm nga synimet.
“Nuk e di se e ka pasur Albin Kurti ndonjëherë qëllim forcimin e ndikimit serb në rajon. Por politika nuk matet vetëm me qëllime. Politika matet me pasoja”, theksoi Osmani.
Zëvendëskryetari i BDI-së ngriti edhe pyetjen se si një lëvizje politike që, sipas tij, e ka ndërtuar identitetin mbi kundërshtimin e hegjemonizmit serb, përfundoi duke mbështetur aktorë politikë që sot përmenden në raportet evropiane për afrimin e vendit me Beogradin.
“Pyetja që meriton përgjigje është: si ndodhi që një lëvizje politike, e cila e ka ndërtuar identitetin e saj mbi kundërshtimin e hegjemonizmit serb, u bë sponsore e aktorëve politikë që sot përmenden në raportet evropiane për afrimin e vendit me Beogradin?”, pyeti ai.
Osmani rikujtoi se shqiptarët në rajon kanë ndarë prej dekadash prioritete të përbashkëta strategjike, si integrimin euroatlantik, partneritetin me SHBA-të, orientimin drejt Bashkimit Evropian dhe kundërshtimin e projekteve që cenojnë sovranitetin e vendeve të Ballkanit.
“Kur interesat partiake fillojnë të zëvendësojnë këto prioritete strategjike, humbës nuk janë kundërshtarët politikë. Humbës bëhen interesat kombëtare”, deklaroi ai.
Në fund, Osmani tha se debati nuk duhet të fokusohet vetëm te alarmet e ngritura nga institucionet evropiane, por te përgjegjësitë politike për zhvillimet aktuale.
“Prandaj, pyetja nuk është pse Parlamenti Evropian po ngre alarmin. Pyetja është: a do të ketë dikush guximin të shpjegojë se si përfunduam këtu?”, përfundoi Osmani. Gazeta Flaka












