OVL-UÇK: Zëri i studentëve është legjitim, kauza e tyre është e drejtë
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka shprehur mbështetje të plotë për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë paralajmëruar protestën e 18 majit në Shkup për të kërkuar respektimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe, përfshirë edhe në provimin e Jurisprudencës.
Në reagimin e tyre, OVL-UÇK vlerëson se zëri i studentëve është legjitim dhe se kauza e tyre është e drejtë, pasi sipas tyre, kërkesa për barazi gjuhësore dhe respektim të identitetit shqiptar nuk përbën privilegj, por të drejtë themelore.
“OVL-UÇK mbështet plotësisht studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë dalë tani në rrugë për të kërkuar dinjitet dhe status të barabartë për gjuhën dhe identitetin shqiptar. Zëri i tyre është legjitim. Kauza e tyre është e drejtë”, thuhet në reagim.
Nga kjo organizatë theksojnë se gjuha shqipe nuk është “nder i falur nga shteti” dhe as çështje që mund të negociohet politikisht, por një e drejtë e patjetërsueshme e shqiptarëve në trojet e tyre.
“Shqipja nuk është nder i falur nga shteti apo i negociuar përmes marrëveshjeve politike. Është e drejtë e patjetërsueshme e një populli në trojet e veta”, theksojnë nga OVL-UÇK.
Në fund, organizata kërkon që të drejtat e shqiptarëve të respektohen menjëherë dhe pa kushte, duke shtuar se “dinjiteti shqiptar nuk negociohet”.
















