Partia Çame: “Heshtja është bashkëfajësi” – thirrje për mbështetje të studentëve shqiptarë
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar në mbështetje të protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se e drejta për arsim në gjuhën shqipe nuk është privilegj, por e drejtë themelore e fituar me sakrificë.
Në njoftimin e saj publik, PDIU deklaron se nuk mund të heshtë përballë, siç e cilëson, çdo tentative për nënvlerësimin e gjuhës shqipe në arsim.
“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk mund të hesht përballë çdo tentative për të nënvlerësuar apo goditur të drejtën e shqiptarëve për arsim në gjuhën amtare në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në reagim.
Partia thekson se për shqiptarët kjo e drejtë është fituar përmes sakrificave dhe qëndresës historike.
“Për ne shqiptarët, kjo nuk ka qenë kurrë privilegj, por një e drejtë themelore e fituar me sakrificë, përplasje dhe qëndresë”, vijon njoftimi.
Në reagim thuhet gjithashtu se mbrojtja e çështjeve kombëtare kërkon veprim konkret dhe jo vetëm deklarata.
“Sot nuk mjafton të bëjmë deklarata sterile nga zyrat, por është momenti që pedagogët, intelektualët, prindërit, studentët dhe çdo shqiptar me dinjitet të dalë në mbështetje të të rinjve”, thekson Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Sipas saj, heshtja ndaj problemeve në arsimin në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut përbën bashkëfajësi.
“Heshtja përballë padrejtësive dhe degradimit të arsimit në gjuhën amtare në Maqedoninë e Veriut është bashkëfajësi”, përfundon njoftimi. Gazeta Flaka
















