‘Përplasje’ mes drejtuesve të Komunës së Sarajit dhe Inspektoratit të Ndërtimit. Kush e thotë të vërtetën?
Komuna e Saraj ka dalë me një njoftim gjatë kësaj pasdite, nëpërmjet të cilit ka bërë të ditur se ka ngritur kallëzim penal kundër drejtorit të Inspektoratit të Ndërtimit, Zuhejr Rexhepit, transmeton TV21.
“Komuna e Sarajit me përgjegjësinë më të madhe informon opinionin se gjatë gjithë kohës respekton dhe aplikon regullat pozitive ligjore edhe në sektorin e urbanizmit.
Sot ne mënyrë flagrante inspektorati shtetror i ndërtimit në krye me Zuhejr Rexhepin ka bërë sulm në kompetencat e Komunës se Sarajit me të vetmin qëllimm që të demtoj imazhin e Komunës së Sarajit.
Njoftojmë opinionin e gjërë se Komuna e Sarajit në vazhdimësi është në presion nga i ashtuquajturi drejtor i insepktoratit i cili deri tash në asnjë formë nuk ka arritur që të gjen paregullsi në punën e Komunës së Sarajit në sektorin e urbanizmit.
Gjithashtu njoftojmë opinionin se Komuna e Sarajit ka ngritur procedurë penale kundër drejtorit dhe inspektoreve në inspektoratin shtetëror të ndertimit për mosrespektim të procedurave ligjore të cilat janë në fuqi dhe për tejkalim të kompetencave”, shkruajnë nga Komuna e Sarajit.
“Kam vendim të plotfuqishëm nga Ministria e Transportit, nuk jam në bahçen timen të dalë ashtu”.
Kështu shprehet mes të tjerash për TV21, drejtori i Inspektoratit Shtetëtor të Ndërtimit për inspektimin e bërë sot në Saraj, për të cilin reaguan nga Komuna e Sarajit.
Rexhepi thotë se inspektimi nuk është kryer në mënyrë flagrante dhe se ka pasuar pas komunikimit të disahershëm mes tij dhe Komunës nëpërmjet letrave zyrtare, për parregullsitë eventuale.
Gjithashtu, si shkak të inspektimit, thotë se është edhe “fakti që Komuna e Sarajit nuk ka për momentin inspektor ndërtimi”.
“Ka një kohë të gjatë që nëpërmjet letrave zyrtare kam komunikuar me Komunën e Sarajit deri kur ata nuk kanë inspektor ndërtimi si Komunë. Edhe Ligji e definon që në momentin që Komuna nuk ka inspektor ndërtimi, atëherë unë e përmbyll raportin e procesverbalit të kërkesave për inspektim të x, x, rastet edhe të njëjtën kërkesë e dërgoj në Ministrin e Transportit që të jem i pastër unë si institucion dhe në të njëjtën kohë kërkoj që t’i merren ingerencat asaj komune. Vetëm se nuk ka inspektor ndërtimi apo keni pasur paraqitje për parregullsi, pse keni ndërhyrë? Por nëse ka inspektor ndërtimi, unë nuk kam të drejtë të kryej inspektime në atë komunë…”, tha mes tjerash Rexhepi.
Rexhepi gjithashtu thotë se nuk e ka të qartë se pse Komuna e Sarajit reagon kështu, pasi siç thotë, ai e ka ftuar investitorin.
“Unë shumë do të doja që të mos ketë parregullsi Komuna e Sarajit, se në fund të fundit unë i takoj kësaj komune”, tha më tej Rexhepi.
Kujtojmë se më herët Komuna e Sarajit njoftoi se ka ngritur procedurë penale kundër Rexhepit, për siç thotë, “në mënyrë flagrante ka kryer inspektime dhe ka sulmuar kompetencat e komunës”.
















