Prishja e ish-Monopolit në Tetovë. A do të zhduken gjurmët e vrasjes së mbi një mijë ballistëve?
Sot ka nisur prishja e objektit të ish-Monopolit në Tetovë, ndërkohë që pamje të siguruara nga portali Tetova Sot tregojnë një situatë alarmante – një re e madhe pluhuri ka përfshirë zonën, pa respektuar asnjë standard ekologjik apo masa mbrojtëse për qytetarët përreth.
Prishja vjen pas një procesi të gjatë dhe të kontestuar, ku toka ku ndodhet Monopoli është shitur për vetëm 1 euro për metër katror.
Sipas informacioneve, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, fillimisht e ka shitur parcelën për 70 denarë për metër katror, por më pas ka ndërhyrë në planin detal urbanistik, duke e kategorizuar atë si tokë ndërtimi – gjë që rrit ndjeshëm vlerën e saj tregtare dhe hap rrugë për zhvillim komercial.
Ky veprim ka ngjallur kritika të ashpra, duke ngritur dyshime për favore ndaj investitorëve të caktuar dhe për manipulim me planet urbanistike për qëllime përfitimi.
Qytetarë dhe aktivistë të mjedisit kanë shprehur shqetësimin e tyre për mënyrën se si po realizohet procesi i prishjes, duke theksuar mungesën e transparencës dhe rreziqet shëndetësore që vijnë nga pluhuri i lëshuar në ajër.
Ndërkohë, nga Komuna e Tetovës ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar për mënyrën e kryerjes së punimeve dhe shkeljen e mundshme të rregulloreve urbane dhe mjedisore.
Kujtojmë që në nëntor 1944, mbi 10.000 shqiptarë u grumbulluan dhe qindra u masakruan në Monopolin e Tetovës, që paraqet një nga faqet më të zeza të historisë së Tetovës. Aty u vranë 1258 ballistë. Ish-Monopoli, përveçse objekt industrial, mbart rëndësi historike dhe simbolike për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, pasi për një kohë ka qenë edhe streha e parë e arsimit të lartë shqip – Universitetit të Tetovës.
Flaka Media
















