Prokuroria kërkon paraburgim për tre të dyshuarit, hetimi për ujin në Gostivar mund të zgjerohet
Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka kërkuar caktimin e masës 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarit në rastin e ndotjes së ujit të pijshëm në Gostivar: ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së NP “Komunalec”, Artana Asani, udhëheqësin e Sektorit për Ujë, Vadedin Dauti dhe drejtorin teknik, Leon Mezini. Ata ndodhen para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili pritet të vendosë për kërkesën e Prokurorisë.
Prokurori i çështjes, bëri të ditur se në këtë fazë hetimet janë përqendruar vetëm te këta tre persona, por nuk përjashtohet zgjerimi i tyre nëse dokumentacioni dhe provat tregojnë përgjegjësi edhe te institucione apo persona të tjerë.
Sipas Prokurorisë, tashmë është sekuestruar i gjithë dokumentacioni i NP “Komunalec”, i cili pritet të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave që çuan në shpërthimin e epidemisë në Gostivar.
Hetimet nisën pas një denoncimi anonim të qytetarëve, ndërsa ekipet hetimore konstatuan funksionimin e dy prej tre pompave të vendosura në sistem. Analizat e para të ujit zbuluan përqendrim të shtuar të baktereve koliforme në një pikë të sistemit, si dhe nivele të klorit mbi kufirin e lejuar në një tjetër.
Autoritetet kanë intensifikuar kontrollet dhe marrjen e mostrave në të gjithë rrjetin e ujësjellësit, si dhe në kopshte, institucione shëndetësore, objekte hotelierike, fetare dhe institucione të tjera publike, për të përcaktuar shtrirjen e ndotjes dhe përgjegjësinë për rastin. Gazeta Flaka
















