Prokuroria publikon analizat: Uji ishte i pasigurt për konsum
Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka publikuar rezultatet e analizave të ujit, të cilat konfirmojnë ndotje bakterologjike dhe tejkalim të nivelit të lejuar të klorit në disa mostra të marra nga sistemi i furnizimit me ujë.
Sipas Prokurorisë, analizat e kryera nga Instituti i Shëndetit Publik kanë treguar se uji nga kanali i hapur ishte shumë i ndotur dhe i papërdorshëm. Në këtë mostër janë evidentuar baktere koliforme në nivel prej 2.419,6 cfu/100 ml, ndërsa kufiri i lejuar është 50 cfu/100 ml.
Në mostrat nga burimi i kaptuar është konstatuar rritje e numrit të kolonive bakteriale dhe prani e baktereve koliforme. Edhe pse standardet parashohin vlerën 0 cfu/100 ml, analizat kanë regjistruar 39 cfu/100 ml, çka sipas Prokurorisë e ka bërë ujin të pasigurt për përdorim dhe konsum.
Është analizuar edhe një mostër nga një çezmë në rrugën JNA në Gostivar, ku është konstatuar nivel i lartë i klorit rezidual prej 1,1 mg/l. Sipas rregullores, niveli i lejuar është nga 0,2 deri në 0,3 mg/l, me kufi maksimal 0,5 mg/l.
Prokuroria vlerëson se pasojat e ndotjes nuk mund të eliminohen lehtë dhe se ekzistojnë dyshime të bazuara për kryerjen e një vepre penale.
Hetimi për rastin vazhdon. Personat e dyshuar janë privuar nga liria, ndërsa prokurori publik gjatë ditës së nesërme pritet të vendosë për masat e mundshme të sigurisë që do t’i kërkohen gjykatës. Gazeta Flaka
















