Protesta studentore merr dimension të ri: në fokus gjuha shqipe në çdo institucion
Kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë kaluar përtej çështjes së provimit të jurisprudencës, duke u shndërruar në një lëvizje më të gjerë për zbatimin e plotë të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e shtetit, shkruan Gazeta Flaka
Njëri nga iniciatorët e protestës, Mevlan Ademi, deklaroi se protesta fillimisht kishte të bënte me një problem teknik në procesin e studimeve, por zhvillimet e fundit dhe pengesat e hasura e zgjeruan kauzën.
“Mesazhi fillimisht ishte i orientuar rreth një problemi teknik që kishte të bënte me përmirësimin e procesit të studimeve, por më pas u zbuluan shumë probleme të tjera dhe tani kjo është shndërruar në një protestë për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Ademi.
Ai bëri thirrje për unitet të shoqërisë civile, profesorëve, studentëve dhe faktorëve politikë, duke theksuar se gjuha shqipe duhet të jetë faktor bashkimi.
“Gjuha jonë duhet të na bashkojë e jo të na ndajë. Në fund të ditës, të gjithë të njëjtin hall e kemi”, deklaroi ai.
Edhe studenti Çlirim Iseni, i ftuar pas protestës në emisionin “Click Plus” në TV21, tha se tashmë kërkesat janë zgjeruar dhe nuk kufizohen vetëm te provimi i jurisprudencës.
“Sa i përket mesazhit, ne jemi arsimuar në shqip dhe ne duam që t’i nënshtrohemi provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Por tani është zgjeruar çështja, është zgjeruar kauza”, tha Iseni.
Sipas tij, problemet e hasura pas protestës së parë i shtynë studentët që në protestën e dytë të dalin me një kërkesë më të gjerë politike dhe shoqërore.
“Sot ne në protestën e dytë dolëm me atë qëllim, që kërkesa jonë kryesore ishte zbatimi i plotë i gjuhës shqipe”, theksoi studenti.
Protesta e fundit në Shkup u karakterizua me pjesëmarrje masive nga studentë dhe qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare, ndërsa mesazhet e protestuesve treguan se çështja e gjuhës shqipe po shihet gjithnjë e më shumë si kauzë e përgjithshme qytetare dhe kombëtare. Gazeta Flaka
















