“Qytetarët ‘në diazepam’ – qetësuesi në majën e listës së barnave më të përdorura”

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 25 Qershor, 2026 22:58

“Qytetarët ‘në diazepam’ – qetësuesi në majën e listës së barnave më të përdorura”

Përdorimi i antibiotikëve në Maqedoninë e Veriut po bie, ndërsa qytetarët vazhdojnë të mbështeten masivisht te barnat për diabetin, problemet me stomakun dhe qetësuesit. Të dhënat më të reja të Fondit për Sigurim Shëndetësor tregojnë se metformina mbetet bari më i përdorur në vend me mbi dy milionë receta vetëm gjatë vitit 2025.

Drejtori i FSSH-së, Sasho Klekovski, bëri të ditur se shpenzimet për barna kanë arritur në rreth 11 miliardë denarë, me një rritje prej 34 për qind krahasuar me vitin 2023. Sipas tij, rritja lidhet me futjen e terapive moderne dhe më të kushtueshme për pacientët me sëmundje të rënda.

Në vend të antibiotikëve, lista e barnave më të përdorura dominohet nga metformina për diabetin, pantoprazoli për problemet gastrike dhe diazepami, një nga qetësuesit më të njohur.

“Për herë të parë po shohim rënie të përdorimit të antibiotikëve, si në numrin e recetave ashtu edhe në shpenzime”, deklaroi Klekovski.

Ndërkohë, Fondi ka rritur ndjeshëm financimin për terapitë moderne kundër kancerit, sëmundjeve të rralla dhe atyre autoimune, duke eliminuar listat e pritjes për kategori të caktuara pacientësh.

Nga 1 korriku, në të gjithë vendin nis zbatimi më i gjerë i recetës elektronike, me synimin për të ndalur keqpërdorimet dhe pagesat e dyfishta të barnave.

Mbi 27 milionë receta janë lëshuar vetëm këtë vit, ndërsa alarmi i heshtur mbetet i njëjtë: diabeti, problemet me stomakun dhe përdorimi i qetësuesve vazhdojnë të dominojnë në përditshmërinë e qytetarëve.

Fakti që diazepami është ndër barnat më të përdorura mund të ngrejë pyetje për gjendjen psikologjike dhe sociale të shoqërisë, por kjo nuk mjafton për të nxjerrë përfundime të drejtpërdrejta. Kështu thotë sociologu Driton Zenku.

“Megjithatë, duhet kujdes me interpretimin. Vetë fakti që diazepami është në top-listë nuk do të thotë automatikisht se shoqëria është më e depresionuar apo më e sëmurë psikologjikisht. Për këtë duhen të dhëna shtesë për diagnozat, numrin e pacientëve, kohëzgjatjen e përdorimit dhe krahasime me vendet e tjera.Kjo është një temë që duhet trajtuar, njëkohësisht nuk duhet anashkalar”, shprehet Zenku, i cili shton se: mund të konsiderohet një paralajmërim, por jo domosdoshmërisht një alarm i konfirmuar.

“Pra, fakti që diazepami është ndër barnat më të përdorura nuk është provë e një krize të shëndetit mendor, por është një sinjal që kërkon analizë dhe vëmendje nga institucionet.Kur qetësuesit ngjiten në krye të listës, ky është një paralajmërim që nuk duhet injoruar”, shton Zenku.

Sipas tij, nga një këndvështrim sociologjik, përdorimi i gjerë i diazepamit mund të interpretohet si tregues i tensioneve dhe pasigurive që përjeton një shoqëri, por jo si provë e drejtpërdrejtë e një problemi të vetëm.

Konsumimi i lartë i qetësuesve mund të shihet edhe si një mekanizëm individual për përballimin e problemeve kolektive.

“Kjo do të thotë se kur njerëzit përballen me stres ekonomik, pasiguri në punësim, polarizim politik, ritëm të shpejtë jetese, izolim social ose mungesë perspektive, këto tensione mund të reflektohen në rritjen e përdorimit të barnave për ankth, pagjumësi dhe stres. Në sociologji përdoret edhe koncepti i “medikalizimit të problemeve sociale” – kur vështirësitë që kanë rrënjë shoqërore trajtohen kryesisht si probleme individuale shëndetësore, shpesh përmes barnave. Prandaj, sociologjikisht, fakti që diazepami është ndër barnat më të përdorura mund të shihet si një indikator i nivelit të stresit social dhe i mënyrës se si shoqëria menaxhon pasiguritë dhe presionet e përditshme.”, përfundon Zenku. Gazeta Flaka

96
SONDAZHI

A duhet vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 25 Qershor, 2026 22:58
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
96
SONDAZHI

A duhet vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?