Ramiz Lladrovci: Studentët shqiptarë në Shkup nuk janë vetëm!
Veprimtari dhe pjesëtari i familjes heroike Ramiz Lladrovci ka shprehur mbështetje të fuqishme për protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar rolin historik të studentëve në mbrojtjen e të drejtave kombëtare shqiptare.
Në reagimin e tij publik, Lladrovci rikujtoi se studentët kanë qenë ndër faktorët kryesorë të lëvizjeve kombëtare shqiptare ndër dekada.
“Studentët, në historinë tonë të re, nga viti 1968, 1981 e deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës-ja, kanë qenë aktorët thelbësorë për të drejtat e shqiptarëve kudo jetojnë”, deklaroi ai.
Duke iu referuar protestës së 18 majit në Shkup, ai theksoi se studentët shqiptarë do të dëshmojnë se askush nuk mund ta përbuzë gjuhën shqipe dhe të drejtat themelore të shqiptarëve.
“Studentët shqiptarë në Shkup, më 18 Maj, do të dëshmojnë edhe një herë se askush nuk mund ta përbuzë gjuhën shqipe as të largojë shqiptarët nga të drejtat themelore, përdorimi i gjuhës amtare”, u shpreh Lladrovci.
Ai kërkoi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, duke e cilësuar gjuhën si pjesë të identitetit kombëtar shqiptar.
“Ligji për përdorimin e shqipes është dhe duhet të zbatohet. Gjuha shqipe është identitet”, tha ai, duke shtuar në fund mesazhin solidarizues: “Studentët në Shkup dhe kudo jetojnë shqiptarët, kurrë nuk janë vetëm!” Gazeta Flaka
















