Raporti i KE-së 2026 në fokus të takimit Shasivari–Rokas
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka zhvilluar një takim pune me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, ku është diskutuar për përparimin në zbatimin e reformave në sistemin e drejtësisë dhe prioritetet e ardhshme në procesin e integrimit evropian.
Gjatë takimit, ambasadori Rokas i ka prezantuar ministrit Shasivari Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026, me theks të veçantë në vlerësimet dhe rekomandimet që lidhen me kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë.
Në takim është përshëndetur përparimi i deritanishëm në zbatimin e reformave në drejtësi, si dhe përmirësimi i vlerësimeve në raportin e këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar. Njëkohësisht, është theksuar rëndësia e ruajtjes së dinamikës së reformave dhe vazhdimit të angazhimeve institucionale për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe detyrimeve që dalin nga Agjenda e Reformave.
Ministri Shasivari ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, duke theksuar se vlerësimet pozitive janë konfirmim i punës së deritanishme, por edhe përgjegjësi shtesë për vazhdimin e reformave që synojnë forcimin e sundimit të ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe efikasitetin e institucioneve të drejtësisë.
Në përfundim të takimit, është rikonfirmuar përkushtimi i përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian, me qëllim që përparimi i evidentuar të shndërrohet në rezultate konkrete dhe të qëndrueshme për qytetarët.











