Raporti i KPMD-së, u raportuan 559 raste të diskriminimit, Qoku: Qytetarët frikësohen ta paraqesin diskriminimin
Në vitin 2023 qytetarët kanë raportuar një sërë rastesh diskriminuese në fushën e informimit publik dhe mediave, diskriminim në punë dhe marrëdhëniet e punës, arsim e të tjera.
Në raportin e Komisionit për Parandalimin dhe mbrojtjen nga Diskriminimi thuhet se bëhet fjalë për 559 raste për mbrojtje nga diskriminimi, nga të cilat 523 janë hapur gjatë vitit 2023, prej të cilëve 76 raste janë bartur nga viti 2022, duke konstatuar 21 raste të diskriminimit më të rëndë.
“Qytetarët dalëngadalë po vetëdijesohen dhe po e njohin Komisionin si organ ligjor, që jep mundësi për zgjidhjen e problemeve në aspekt të diskriminimit. Më shumë parashtresa ka në fushën e medias, në marrëdhëniet e punës, në arsim dhe shkencë. Janë marrë 521 vendime, nga të cilat 177 mendime ligjore, 344 konkluzione.”, – deklaroi përfaqësuesi i KPMD-së, Zekir Abdullov.
Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, tha se qytetarët për 22 vite kanë qenë të frikësuar që të denoncojnë diskriminimin.
“Dua të theksoj se tek qytetet më të mëdha ku jetojnë shqiptarët nuk kemi numër të madh të ankesave, pasi partia që ka qenë në pushtet 22 vite, BDI-ja, ka ushtruar diktaturë dhe ua ka pamundësuar qytetarëve të paraqesin ankesa në institucionet shtetërore. Qytetarët janë të frikësuar dhe institucionet të robëruara.”, – theksoi deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku.
Rexhep Ismail nga “E Majta” pyeti se pse parashtresat nuk përfundojnë në gjykatë.
“Nga aq shumë ankesa, ka vetëm 14 që janë me kundërvajtje, ndërsa vetëm për njërën hapet procedurë gjyqësore. Nuk e di pse ndodh kjo?!”, – u shpreh deputeti i “Së Majtës”, Rexhep Ismail.
Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka konstatuar gjithashtu shkelje të së drejtës për barazi, e më e shpeshta ka qenë pronësia personale dhe statusi shoqëror, ndjekur nga bazat e orientimit seksual, identitetit gjinor, përkatësisë kombëtare ose etnike, bindjeve politike, gjinisë e të tjera.
















