Rasti në Ohër: Nëna e Sarës me akuza tronditëse: “Babai i Kristianit i jepte këshilla se si të shpëtonte nga trupi i vajzës sime!”
Nëna e Sarës, e cila ende ndodhet në spital, ka bërë akuza të rënda dhe tronditëse ndaj të dyshuarit Kristian, familjes së tij dhe rrethanave në të cilat vajza e saj ishte lënduar. Përmes një reagimi publik në Facebook, ajo pretendon se e bija ishte përballur me dhunë që i kishte rrezikuar jetën, ndërsa personat nga rrethi i të dyshuarit kishin tentuar ta mbulonin rastin.
Shqetësimin e familjes e ka shtuar edhe më shumë informacioni se Kristian mbrëmjen e kaluar ishte liruar nga paraburgimi. Nëna thotë se Sara, në vend që të përqendrohet te shërimi, po jeton me frikë për sigurinë e saj.
Në reagimin e saj, ajo përmend edhe prindërit e të dyshuarit: Ljubinka Koraboska, ish-kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, dhe Goce Koraboski, inspektor në Drejtorinë e të Ardhurave Publike. Sipas pretendimeve të saj, Kristiani vazhdimisht ishte mburrur se prindërit e tij kishin mjaftueshëm pushtet dhe ndikim për të zgjidhur çdo problem.
Akuzat më të rënda lidhen me atë që, sipas nënës, kishte ndodhur derisa Sara ishte pa vetëdije.
Ajo pretendon se Kristiani, duke menduar se vajza kishte vdekur, kishte kontaktuar babanë e tij dhe i kishte kërkuar këshilla se si të shpëtonte nga trupi i saj.
“Babai i tij i jepte udhëzime se si të shpëtonte nga trupi i vajzës sime”, thuhet në reagimin e nënës.
Sipas dëshmisë së saj, telefoni i Sarës ishte thyer qëllimisht më herët, duke ia pamundësuar asaj të kërkonte ndihmë.
Nëna rrëfen edhe një bisedë të pretenduar që Sara e kishte dëgjuar në gjendje të pafuqishme:
“Thirri të gjithë të njohurit, ta mbulojmë këtë punë dhe të shpëtojmë prej kësaj, a ta hedh në ndonjë greminë?”

Në reagim përmendet edhe tezja e të dyshuarit. Nëna pretendon se ajo kishte kontaktuar spitalin ku po trajtohet Sara, me qëllim që të ndikonte në raportin mjekësor dhe të paraqiste lëndimet e vajzës si më të lehta.
Ajo gjithashtu pretendon se personat nga rrethi i Kristianit kishin refuzuar ta dërgonin Sarën në spital, ndonëse ajo vetë u kishte kërkuar ndihmë. Sipas dëshmisë së saj, në një moment i dyshuari kishte kërkuar thikë dhe kishte dashur ta “përfundonte” atë.
Nëna pretendon se Sara kishte ardhur në vete para se Kristiani të arrinte ta dërgonte dhe ta hidhte në ndonjë greminë, pas së cilës, sipas versionit të saj, ai e kishte lënë në rrugë.
Në fund të reagimit, ajo drejton një pyetje të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve dhe kërkon përgjegjësi për të gjithë të përfshirët.
“Deri kur do të lejojmë që dikush të mendojë se mund të bëjë çfarë të dojë, t’i shmanget përgjegjësisë dhe të ndihet i paprekshëm vetëm pse pas vetes ka lidhje partiake, prindër të fuqishëm dhe njohje?”, pyet nëna e Sarës.
Bëhet fjalë për akuza të rënda të ngritura publikisht nga nëna e vajzës, të cilat mbeten pretendime të saj dhe duhet të verifikohen nga institucionet kompetente.
Gazeta Flaka














