Sela pas takimit me kongresistin amerikan: Shqetësime për gjuhën shqipe dhe të drejtat e shqiptarëve
Lideri i opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Ziadin Sela, ka bërë të ditur se në Prishtinë ka zhvilluar një takim me kongresistin amerikan Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Kongresin Amerikan.
Sela njoftoi se takimi u realizua në kuadër të agjendës së kongresmenëve amerikanë me faktorin politik shqiptar në rajon, ku në fokus ishte edhe një tryezë e rrumbullakët me liderët e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
“Duke vlerësuar lartë ndihmën dhe mbështetjen e SHBA-ve në proceset jetike për vendin dhe rajonin, paqën dhe sigurinë, orientimin euro-atlantik, si dhe kohezionin ndëretnik, shpalosa pikëpamjet tona për ngecjen në shumë fusha si dhe regresin e shënuar në shumë të tjera periudhën e fundit në Maqedoninë e Veriut”, ka deklaruar Sela.
Ai theksoi se në takim ka ngritur shqetësimin për, siç tha, tendencat për të goditur përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në vend.
“Kongresmenit amerikan i shpreha shqetësimin tonë dhe seriozitetin e tendencave për të goditur përdorimin zyrtar të Gjuhës Shqipe në Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Sela.
Sipas tij, në takim është diskutuar edhe për nevojën e vendosjes së parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese, si mekanizëm mbrojtës kundër majorizimit.
Në deklaratën e tij, Sela ngriti akuza edhe ndaj sistemit të drejtësisë në vend, duke përmendur rastin “Alfa”.
“Ndava shqetësimin për gjyqësinë që funksionon në bazë të emrit dhe mbiemrit që ke dhe jo sipas veprës që ke bërë, duke sjellë në vëmendje rastin Alfa, 18 vite burg pa faj të Agim Islamit dhe tashmë të ndjerit Rexhail Qerimit”, deklaroi ai.
Në fund, Sela tha se në takim është diskutuar edhe për, sipas tij, “goditjet e vazhdueshme ndaj të drejtave të shqiptarëve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit”. Gazeta Flaka
















