Sërish polemika për autostradën Shkup – Bllacë – BDI: VLEN-i deri sot janë vetëm një НИШТО

Flaka
Botuar nga Flaka 14 Qershor, 2026 22:08 Përditësuar

Sërish polemika për autostradën Shkup – Bllacë – BDI: VLEN-i deri sot janë vetëm një НИШТО

Deklaratat e fundit të VLEN-it janë një përpjekje e qartë për ta larguar vëmendjen e opinionit nga realiteti: se projekti i autostradës Shkup-Bllacë nuk është krijuar prej tyre, por është projekt i nisur, financuar dhe proceduar gjatë qeverisjes së BDI-së.

Në vend që të japin përgjigje pse u humbën dy vite me vonesa, rishikime dhe propagandë, ata zgjedhin të rikthehen te insinuata dhe akuza të pabazuara për çështje që nuk kanë asnjë lidhje me ndërtimin e autostradës. Kjo është një taktikë e njohur politike: kur mungojnë rezultatet dhe argumentet, tentohet të dominojë debati me shpifje.

Faktet janë të qarta. Trasa, projekti dhe procedurat për autostradën Shkup-Bllacë janë vendosur shumë më herët dhe sot po realizohen mbi themelet e krijuara në atë periudhë. Qytetarët e dinë se infrastruktura nuk ndërtohet me konferenca për shtyp, por me planifikim, projekte dhe vendime institucionale.

Po aq i pabazë është edhe pretendimi se korrupsioni është zhdukur me ardhjen e tyre në pushtet. Lufta kundër korrupsionit nuk bëhet me slogane politike, por me institucione të pavarura, transparencë dhe llogaridhënie për çdo funksionar, pa dallim.

BDI nuk do të bjerë në grackën e debatit të mbushur me etiketime personale dhe akuza pa prova. Ne do të vazhdojmë të flasim me fakte dhe të mbrojmë interesin publik.

Në vend të propagandës dhe përpjekjeve për të rishkruar historinë, VLEN duhet t’u shpjegojë qytetarëve pse projektet e trashëguara prezantohen si arritje të reja dhe pse energjia e tyre shpenzohet në sulme politike, në vend që të përshpejtohet realizimi i investimeve që presin qytetarët.

Në vend që të harxhojnë kohë duke prodhuar narrativa dhe sulme politike ndaj BDI-së, drejtuesit e VLEN-it duhet të jenë shumë më kërkues ndaj vetes dhe të përqendrohen në realizimin e premtimeve që u kanë dhënë qytetarëve. Ata u votuan për të zbatuar programin e tyre, jo për të kërkuar vazhdimisht justifikime dhe për të zhvendosur debatin drejt temave që nuk i zgjidhin problemet reale të qytetarëve.
Përgjegjësia e tyre matet me rezultatet që arrijnë sot, jo me akuzat që drejtojnë ndaj të tjerëve. Deri sot janë vetëm një НИШТО, thonë nga BDI.

Sot po prezantohet fillimi i punimeve në pjesën e mbetur të autostradës Shkup- Bllacë. Është lajm i mirë për qytetarët dhe për lidhjen strategjike me Kosovën. Por opinioni publik meriton ta dijë të vërtetën: ky është një projekt i konceptuar, projektuar, financuar dhe mbrojtur nga qeveria e udhëhequr nga BDI. Në kohën kur studimet fillestare e vlerësonin se një autostradë nuk ishte ekonomikisht e arsyeshme, BDI mori një vendim strategjik dhe politik që Bllaca, si porta kryesore drejt Kosovës dhe pjesë e Korridorit 8, të lidhej me Shkupin përmes një autostrade moderne dhe jo përmes një rruge të zakonshme magjistrale.

Për këtë projekt u siguruan 20 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian, u përgatit dokumentacioni teknik nga kompania amerikane Hill, u realizuan procedurat e projektimit për një terren kompleks me ura, viadukte dhe tunele, u nis procesi i shpronësimeve dhe u sigurua financimi ndërkombëtar për vazhdimin e ndërtimit.

Një nga vendimet më të rëndësishme ishte ndërtimi i 2 kilometrave të para të autostradës. Ky segment nuk u realizua rastësisht, por si një garanci strategjike që projekti të mos mund të ndryshohej më vonë në një rrugë magjistrale. Pikërisht këto 2 kilometra e bënë praktikisht të pamundur devijimin e konceptit fillestar. Qeveria e BDI-së kreu edhe procedurat e tenderimit, ku aplikuan 11 kompani, ndërsa qeverisë pasardhëse i mbeti vetëm të zgjidhte realizuesin dhe të vazhdonte punimet.

Në vend të kësaj, për dy vite me radhë projekti u bllokua dhe u shoqërua me deklarata kontradiktore, pretendime për ndryshim traseje, ide për reduktimin e tij në rrugë magjistrale dhe tentativa për ta paraqitur si një projekt të ri. Madje u shpenzuan edhe rreth 8.850.000 denarë për analiza dhe ndryshime, vetëm që në fund të riktheheshin te zgjidhja e përgatitur nga BDI.
Sot, ata që dikur e kontestonin këtë projekt dhe e vonuan për dy vite, përpiqen të marrin meritat për të. Faktet flasin ndryshe: autostrada Shkup–Bllacë është produkt i vizionit, planifikimit dhe punës së BDI-së.

Korridori 8, Korridori 10-D, autostrada Shkup- Bllacë, Rruga e Arbërit, qarkorja e Tetovës dhe projektet për lehtësimin e kalimeve kufitare janë dëshmi të një politike që investoi në lidhjen rajonale dhe zhvillimin afatgjatë.
Ne mirëpresim çdo hap drejt përfundimit të autostradës, por nuk do të lejojmë që propaganda të zëvendësojë faktet. Qytetarët e dinë se kush e nisi këtë projekt, kush e mbrojti dhe kush e vonoi për dy vite.

U përgjigjen nga VLEN: Autostrada Shkup–Bllacë po hyn në fazën e realizimit konkret. Me përfundimin e procedurës për përzgjedhjen e kontraktorit, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore dhe strategjike për vendin po merr më në fund drejtimin e duhur.

Për 24 vjet me radhë, qytetarëve iu premtua kjo autostradë, por ajo mbeti vetëm në letër. Sot, me VLEN-in në qeveri dhe me angazhimin e përfaqësuesve tanë në institucionet shtetërore, ky projekt po shndërrohet në realitet.

Ky nuk është vetëm një investim në asfalt dhe beton. Është një investim në lidhjen strategjike me Kosovën, në zhvillimin ekonomik, në qarkullim më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave dhe në krijimin e mundësive të reja për bizneset dhe qytetarët.

Angazhimi i zëvendësministres Kaltrina Zekolli dhe koordinimi me institucionet përgjegjëse dhe partnerët ndërkombëtarë po japin rezultate konkrete. VLEN vazhdon të dëshmojë se projektet nuk realizohen me premtime boshe, por me punë, përgjegjësi dhe vendimmarrje.

Atë që të tjerët nuk e bënë për 24 vjet, VLEN po e bën në 24 muaj.

Reagoi edhe Lidhja Shqiptare: Kryetarët dhe ministrat e koalicionit VLEN të cilët dje bënin gara se cili do të bëjë më shumë lajme për rrugën Shkup-Bllacë nuk njoftuan fillimin e ndërtimeve, por në fakt zvarritjen e re të realizimit të këtij projekti mjaft të rëndësishëm. Ata mes tjerash vetë pranuan që ky projekt do të merr 3.5 vite për tu finalizuar, që dëshmon qartë se ata veçse pranuan dështimin dhe shkelën fjalën e tyre se rruga do të ndërtohet brenda mandatit qeverisës.
Përfaqësuesit e VLEN dje bënë atë që kanë kritikuar ndër vite qeveritë e kaluara. U bënë të njëjtë, pa asnjë dallim: zvarritje, premtime boshe, mashtrim, prolongim dhe lojë fjalësh.

Periudha prej 3.5 vitesh që e pranuan edhe vetë ata fillimisht tregon zvarritjen e radhës, por edhe kjo si periudhë nuk është definitive. Me paralajmërimet e kësaj Qeverie kundër autostradave që lidhin vendin me Shqipërinë dhe Kosovën, do të jemi dëshmitarë se punimet as nuk do të fillojnë.

Për fatin e mirë të qytetarëve, ndryshimi i vërtetë do të vijë shumë shpejtë dhe do tu rikujtojmë të gjithëve se si mbahen premtimet dhe si realizohen projektet me interes kombëtar. Gazeta Flaka

109
SONDAZHI

Sa mendoni se Qeveria aktuale në Shkup po punon për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian?

Flaka
Botuar nga Flaka 14 Qershor, 2026 22:08 Përditësuar
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
109
SONDAZHI

Sa mendoni se Qeveria aktuale në Shkup po punon për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?