Shkurtim prej 87 për qind për ujitjen, 72 për qind për shkollat e mesme – Kovaçevski ngre alarmin për Buxhetin 2027

Flaka
Botuar nga Flaka 16 Nëntor, 2026 17:20

Shkurtim prej 87 për qind për ujitjen, 72 për qind për shkollat e mesme – Kovaçevski ngre alarmin për Buxhetin 2027

Deputeti i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ka kritikuar Propozim-buxhetin për vitin 2027, duke vlerësuar se ai nuk ofron zhvillim ekonomik dhe as përmirësim të standardit jetësor të qytetarëve. Sipas tij, Qeveria vazhdon të rrisë shpenzimet rrjedhëse, ndërsa mjetet për investime kapitale dhe programet zhvillimore në sektorët kryesorë janë të pamjaftueshme ose po zvogëlohen.

“Qytetarët nuk e vlerësojnë buxhetin sipas numrit të miliardave të denarëve që do të shpenzojë Qeveria, por sipas asaj nëse arrijnë më lehtë te mjeku, nëse fëmijët e tyre marrin arsim më cilësor, nëse mund të sigurojnë një shtëpi të tyren, nëse marrin frymë ajër më të pastër dhe nëse bujqit mund të jetojnë nga puna e tyre”, deklaroi Kovaçevski.

Ai theksoi se veçanërisht shqetësues është zvogëlimi për rreth 60 për qind i mjeteve për rikonstruksionin dhe zgjerimin e institucioneve publike shëndetësore. Sipas tij, këto investime janë të domosdoshme për përmirësimin e kushteve në spitale dhe modernizimin e infrastrukturës shëndetësore.

“Sistemi shëndetësor duhet të sigurojë lista më të shkurtra të pritjes, qasje më të mirë në barna, diagnostikim në kohë dhe mbajtjen e kuadrit mjekësor, në vend të zotimeve deklarative dhe rritjeve buxhetore pa rezultate konkrete”, theksoi Kovaçevski.

Sa i përket arsimit, ai tha se ndonëse për këtë sektor janë planifikuar rreth 49 miliardë denarë, shpenzimet zhvillimore të Ministrisë së Arsimit ulen për 28,5 për qind. Mjetet për ndërtimin e shkollave fillore zvogëlohen për 59,5 për qind, ndërsa ato për ndërtimin e shkollave të mesme për 72,3 për qind.

Kovaçevski paralajmëroi se këto shkurtime nënkuptojnë më pak investime në shkolla moderne, kushte më të mira për nxënësit, aftësi digjitale, kuadro profesionale dhe infrastrukturë kërkimore.

“Nuk mund të flasim për transformim digjital, ndërkohë që nuk investojmë mjaftueshëm në aftësitë digjitale, kuadrot profesionale, programet bashkëkohore mësimore dhe lidhjen e arsimit me nevojat e tregut të punës”, deklaroi ai.

Kovaçevski u ndal edhe te problemi gjithnjë e më i madh i përballueshmërisë së banimit. Ai tha se çmimet e banesave në Shkup dhe qytetet e tjera të mëdha vazhdojnë të rriten, duke bërë që gjithnjë e më shumë të rinj dhe familje të mos kenë mundësi të sigurojnë një banesë të tyren.

Për më tepër, sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë, rreth një e treta e fondit banesor në vend është e pabanuar.

Ai vlerësoi se në Propozim-buxhet nuk shihet një politikë e qartë dhe sistematike për banim të përballueshëm, as programe afatgjata për mbështetjen e familjeve të reja, zhvillimin e fondit të banesave me qira dhe sigurimin e banesave sociale.

“Standardi jetësor nuk matet vetëm me rritjen nominale të pagave, e cila mezi i mbulon lëvizjet inflacioniste. Ai matet me atë se sa mjete i mbeten familjes pas pagesës së ushqimit, energjisë, transportit, qirasë, kredive dhe shërbimeve bazë”, tha Kovaçevski.

Duke folur për bujqësinë, ai theksoi se, pavarësisht rritjes së buxhetit të përgjithshëm të Ministrisë për rreth 29 për qind, struktura e shpërndarjes së mjeteve ngre shqetësime. Mjetet në programin për mbështetje financiare të bujqësisë zvogëlohen nga 7,3 në 6,8 miliardë denarë.

Veçanërisht shqetësues, sipas tij, është zvogëlimi i mjeteve për ekonominë e ujërave dhe sistemet e ujitjes, nga rreth 122 milionë në vetëm 16 milionë denarë, që paraqet rënie prej gati 87 për qind.

Kovaçevski vlerësoi se një shkurtim i tillë është veçanërisht i papërshtatshëm në kushtet e ndryshimeve klimatike, thatësirave dhe pasigurisë gjithnjë e më të madhe në prodhimin bujqësor.

“Bujku nuk mund ta planifikojë prodhimin nëse nuk ka qasje të sigurt në ujë, nëse nuk ka parashikueshmëri në pagesën e mbështetjes dhe nëse nuk ka kushte për magazinimin dhe plasimin e produkteve”, theksoi ai.

Kovaçevski nënvizoi se ekonomisë së Maqedonisë nuk i nevojitet vetëm rritja e shpenzimeve buxhetore, por mbi të gjitha rritja e produktivitetit, konkurrueshmëria më e madhe e kompanive vendore, zhvillimi teknologjik dhe vende pune me vlerë të shtuar më të lartë.

Ai theksoi veçanërisht nevojën që të rinjtë të kenë mundësi reale për zhvillim profesional në vendin e tyre, përmes vendeve cilësore të punës, praktikës së paguar, qasjes në punësimin e parë dhe mundësive për avancim.

Duke komentuar strukturën e përgjithshme të Propozim-buxhetit, Kovaçevski bëri të ditur se janë planifikuar të ardhura prej 395,4 miliardë denarësh dhe shpenzime prej 440,4 miliardë denarësh, me deficit buxhetor prej 45 miliardë denarësh, përkatësisht 3,5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Sipas tij, problemi kryesor qëndron te mënyra e shpërndarjes së mjeteve. Nga shpenzimet e përgjithshme, 399,6 miliardë denarë janë paraparë për shpenzime rrjedhëse, ndërsa vetëm 40,8 miliardë denarë për shpenzime kapitale.

Kjo do të thotë se rreth 91 për qind e buxhetit shkon për funksionimin e përditshëm, ndërsa vetëm 9 për qind për investime kapitale.

“Thënë më thjesht, nga çdo 100 denarë para publike, rreth 91 denarë janë të destinuar për funksionimin e përditshëm, ndërsa vetëm 9 denarë për investime kapitale”, deklaroi Kovaçevski.

Ai paralajmëroi se shpenzimet rrjedhëse rriten për rreth 5,1 për qind, ndërsa ato kapitale vetëm për 1,7 për qind. Në krahasim me ribalancin e dytë të buxhetit për vitin 2026, shpenzimet kapitale rriten për vetëm rreth 698 milionë denarë.

Kovaçevski vuri në dukje edhe mospërputhjet ndërmjet Propozim-buxhetit dhe Strategjisë Fiskale për vitin 2027, të përgatitur nga e njëjta Qeveri.

Në krahasim me Strategjinë Fiskale, të ardhurat janë më të ulëta për rreth 3,1 miliardë denarë, shpenzimet rrjedhëse më të larta për 2,2 miliardë denarë, shpenzimet kapitale më të ulëta për 2,7 miliardë denarë, ndërsa deficiti më i lartë për 2,6 miliardë denarë.

Sipas tij, këto dallime tregojnë se Qeveria po largohet nga planet e veta fiskale, duke paraparë më pak mjete për zhvillim dhe më shumë shpenzime për funksionimin e përditshëm.

Ai paralajmëroi gjithashtu se deficiti i planifikuar buxhetor prej 3,5 për qind të PBB-së është mbi rregullin ligjor fiskal prej 3 për qind.

Si rrezik shtesë, Kovaçevski përmendi edhe projeksionet makroekonomike të Qeverisë, e cila pret rritje ekonomike prej 3,8 për qind dhe inflacion prej 3,2 për qind, ndonëse projeksionet ndërkombëtare, sipas tij, tregojnë për rritje më të moderuar dhe presione më të larta inflacioniste.

“Çështja është se si shpenzohen paratë, për cilat prioritete dhe me çfarë rezultatesh. Sepse, në fund, suksesi i një buxheti nuk matet me numrin e miliardave të planifikuara, por me atë nëse qytetarët jetojnë më mirë, nëse të rinjtë shohin perspektivë, nëse kompanitë bëhen më konkurruese dhe nëse shteti krijon kushte për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme”, përfundoi Kovaçevski.

Ai vlerësoi se Propozim-buxheti për vitin 2027 nuk ofron përgjigje të mjaftueshme zhvillimore ndaj problemeve me të cilat përballen qytetarët dhe ekonomia e vendit, duke mos garantuar përmirësim të shërbimeve shëndetësore, rezultate më të mira në arsim dhe rritje të potencialit eksportues të ekonomisë së Maqedonisë.

407

Alta Banka në Maqedoninë e Veriut: Kush mban përgjegjësi për lejimin dhe avancimin e aktivitetit të saj?

Duke pasur parasysh dokumentet e viteve 2023 dhe 2025 që lidhen me aksionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Alta Bankën në Beograd dhe ofertën për blerjen e aksioneve të institucioneve publike, sipas jush, cila qeverisje mban përgjegjësinë politike për ardhjen dhe avancimin e Alta Bankës në tregun e Maqedonisë së Veriut?

Voto dhe shpreh qëndrimin tënd!

Flaka
Botuar nga Flaka 16 Nëntor, 2026 17:20
Të drejtat autoriale dhe përdorimi i përmbajtjes Disa nga imazhet e publikuara në portal janë siguruar nga burime të ndryshme në internet dhe konsiderohen se i përkasin domenit publik. Në rast se ndonjë person ose subjekt pretendon të drejtën e pronësisë mbi to, Flaka Media është e gatshme të bëjë citimin përkatës të autorit ose, sipas kërkesës, ta largojë menjëherë imazhin nga portali. Marrja, kopjimi, riprodhimi, shpërndarja apo publikimi i paautorizuar i teksteve, fotografive, videove dhe çdo përmbajtjeje tjetër autoriale që përbën pronësi intelektuale të Flaka Media, pa pëlqimin paraprak me shkrim të redaksisë, ndalohet rreptësisht. Çdo shkelje e të drejtave autoriale dhe të drejtave të përafërta do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Flaka Media rezervon të drejtën të kërkojë kompensim financiar për dëmin e shkaktuar dhe të ndërmarrë procedurat përkatëse ligjore ndaj shkelësve. Për çdo ripublikim ose shfrytëzim të përmbajtjes autoriale të Flaka Media, është i detyrueshëm sigurimi i pëlqimit paraprak me shkrim nga redaksia. Në rastet kur jepet leja për ripublikim, duhet të vendoset në mënyrë të qartë burimi dhe një lidhje aktive (link) që orienton lexuesit drejt artikullit origjinal në faqen zyrtare të Flaka Media. Përmbajtjet reklamuese dhe materialet e publikuara përmes platformës MGID nuk janë nën administrimin dhe përgjegjësinë editoriale të redaksisë së Flaka Media. Arkivi i portalit ruhet për një periudhë prej dy vjetësh nga data e publikimit të lajmit.
407

Alta Banka në Maqedoninë e Veriut: Kush mban përgjegjësi për lejimin dhe avancimin e aktivitetit të saj?

Duke pasur parasysh dokumentet e viteve 2023 dhe 2025 që lidhen me aksionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Alta Bankën në Beograd dhe ofertën për blerjen e aksioneve të institucioneve publike, sipas jush, cila qeverisje mban përgjegjësinë politike për ardhjen dhe avancimin e Alta Bankës në tregun e Maqedonisë së Veriut?

Voto dhe shpreh qëndrimin tënd!

Voto edhe...
3
Flaka

Çfarë dëshironi të lexoni apo shikoni në Flaka më së tepërmi?

NDRYSHE

NDRYSHE

    No posts where found

Lexo më shumë